Gjashtë palestinezë janë arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Izrael nëpërmjet një tuneli në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Raportohet se të burgosur prej muajsh kanë gërmuar një tunel në tualetin e qelisë së tyre që të çonte në një rrugë jashtë mureve të burgut Gilboa.
Zyrtarët izraelitë janë vënë në alarm pasi disa fermerë raportuan se kishin parë të arratisurit duke u larguar me vrap nëpër ara.
Ata zbuluan se të palestinezët ishin zhdukur kur stafi i burgut numëroi të burgosurit.
Të arratisurit përfshijnë një ish-udhëheqës të një grupi militant në Palestinë dhe pesë anëtarë të Xhihadit Islamik.
Fotot e tunelit të hapur në mes të rrugës janë bërë virale në mediat sociale, ndërsa arratisja e të burgosurve është konsideruar një dështim i madh për sigurinë.
Gjithashtu janë publikuar video nga qelia ku u hap tuneli, që u mundësoi 6 palestinezëve daljen nga burgu.
Jerusalem Post raportoi se të burgosurit përdorur një lugë të ndryshkur që e kishin fshehur pas një posteri për të hapur vrimën poshtë tualetit.
Sipas shërbimit të sigurisë në vend, Shin Bet, ata kanë kontaktuar me njerëz jashtë burgut duke përdorur një celular të kontrabanduar.
Times of Israel raporton se pesë nga gjashtë prej tyre ishin dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me sulmet vdekjeprurëse kundër izraelitëve, ndërsa Zakaria Zubeidi priste të dilte në gjyq për dhjetëra krime, përfshirë tentativë vrasjeje.
Në vend kanë nisur kërkimet për kapjen e tyre dhe mendohet se janë ende në territorin izraelit, ndërsa po gjurmohet një automjet i dyshimtë.
Zyrtarët janë të shqetësuar se të arratisurit do të përpiqen të ikin në Jordani, të kryejnë rrëmbime apo të bëjnë sulme./m.j