Për fëmijët e dëshmorëve, përfitimet financiare nuk mjaftojnë për të përballuar traumën që ata kalojnë.
Franci Zylyftari, djali i kolonel Arben Zylyftarit i vrarë në vitin 2000 gjatë një operacioni për kapjen e dy personave në kërkim e pohon diçka të tillë.
Ai ishte vetëm 4 vjeç kur humbi të atin. Nga ajo ditë shteti i caktoi si ndihmë 80 mijë lekë të reja në muaj por paratë nuk e ndihmuan të kalonte traumën.
“Përveç kuadrit financiar duhet dhe mbështetje nga ana psikologjike, sepse trauma që përjetohet është shumë e madhe dhe ka fëmijë që vërtet e kanë të vështirë ta lënë pas, për të jetuar një jetë normale. Është një aspekt që shteti duhet të punojë më mirë,” – u shpreh ai.
Qeveria ka marrë një nismë që parashikon mbështetje financiare mujore në masën 50 % të pagës me të lartë të prindit apo kujdestarit ligjor që ka humbur jetën, arsimin falas si dhe bursë të plotë.
Mbështetja materiale:
- Financim mujor deri në masën 50% të pagës
- Shërbim shëndetësor falas
- Shkollim falas
- Bursë të plotë në arsimin e lartë publik
224 fëmijë kanë përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme.
Mbështetja financiare do të jetë deri në moshën 25 vjeçare, ku parashikohet të jetë dhe fundi i studimeve universitare.