Presidenti amerikan Joe Biden thotë se nevojiten investime historike për t’u përballur me krizën klimatike, pasi verilindja e Amerikës është goditur nga përmbytje si pasojë e uraganit Ida. Numri i viktimave ka shkuar në 45.
“SHBA po përballet me shkatërrim të lidhur me klimën në të gjithë vendin dhe trajtimi i tij është çështje jete dhe vdekjeje”, tha presidenti.
New York City dhe New Jersey u shënuan nivele të pashembullta të reshjeve. Disa banorë u bllokuan në bodrumet dhe makinat e përmbytura. Gjashtë shtete pësuan humbje jete.
Guvernatori i New Jersey Phil Murphy tha se të paktën 23 persona kishin vdekur në shtetin e tij, shumica e tyre mbërthyer në automjetet e tyre ndërsa uji ngrihej.
Të paktën 14 persona humbën jetën në New York City, përfshirë një djalë dy vjeç. 11 prej tyre u mbytën ndërsa ishin bllokuar në bodrumet e tyre të përmbytura, thanë zyrtarët
Pesë persona vdiqën në Pensilvani. Vdekjet u raportuan gjithashtu në Maryland dhe Virxhinia.
Presidenti Joe Biden ka shpallur emergjencë si në New Jersey ashtu edhe në New York, duke u mundësuar të dy shteteve të marrin fonde federale për të mbështetur përpjekjet lokale të ndihmës nga fatkeqësitë.
Ndikimi i ndryshimit të klimës në shpeshtësinë e stuhive është ende i paqartë, por rritja e temperaturave të sipërfaqes së detit ngroh ajrin sipër dhe vë më shumë energji në dispozicion për të nxitur uragane, ciklone dhe tajfune. Si rezultat, ato ka të ngjarë të jenë më intensive me reshje më ekstreme.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që kur filloi epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.
g.kosovari