Nga Ernest Nasto
Pas asaj të “shtetit të natyrshëm”, ideja e “shtetit kristian” është një tjetër ide kryesore bazë që vjen nga fillimet e republikës amerikane, po aq e rrënjosur thellë e me ndikim të qartë në historinë e vendit. Kjo ide është formuar gradualisht e për disa arsye, dhe njerëz të ndryshëm i japin këtij termi kuptime po aq të ndryshme, të cilat do përpiqemi t’i sqarojmë në vazhdim.
Pamë në artikullin e kaluar se Deklarata e Pavarësise dhe Kushtetuta amerikane shprehnin qartë vizionin e themeluesve për shtetin e ri, si zbatim praktik i idealeve iluministe e deiste, një organizim i mbështetur mbi disa të vërteta të shpalosura në vetë natyrën. Ndërkaq Amendamenti i Parë kushtetues sanksionoi liri të plotë besimi, duke i ndaluar qeverisë çdo përzjerje në këtë çështje.
Tashti ky pozicion i marrëdhënieve të besimit me qeverinë, apo të kishës me shtetin, ka qenë disi paradoksal në rastin e Shteteve të Bashkuara, sepse republika amerikane e nisi dhe e vazhdoi rrugëtimin e saj në shumë aspekte si një vend kristian.
E në fakt deizmi i etërve themelues s’mund të mendohet i shkëputur nga Bibla, sepse megjithëse ata i rezistuan presionit për të krijuar një shtet qartazi kristian, konceptet biblike ndikuan gjerësisht në institucionet politike amerikane.
Po ashtu, ideja e “shtetit kristian” u pasqyrua në rezultate praktike gjatë shekullit XIX kur protestantët pothuajse ia arritën ta kristianizojnë vendin nëpërmjet lëvizjeve të mëdha të zgjimit shpirtëror. Një karakteristikë e debateve të sotme politike amerikane është një lloj frike e shprehur vazhdimisht nga besimtarët konservatorë se synimi i humanistëve e jobesimtarëve është të largojnë Zotin dhe besimin nga arena publike, duke kthyer Amerikën në një shtet laik si ato të Europës Perëndimore.
Por në të vërtetë kjo frikë ka qenë e pranishme qysh në vitet e para të shtetit të tyre, pavarësisht se pak amerikanë janë sot të ndërgjegjshëm për këtë. Edhe para 250 vjetësh shumë bashkëkohës i shihnin etërit themelues si krejt të pafe e që synonin largimin e besimit nga arena publike, dhe kjo sepse nocionet e shtetit laik, apo të bashkekzistencës së shumë besimeve, që merren sot të mirëqena, zor se mund të konceptoheshin në atë kohë.
Liderët e revolucionit amerikan, duke krijuar një shtet laik e me liri të plotë besimi, ishin deklaruar haptazi, në sytë e besimtarëve, edhe kundër një republike kristiane, edhe kundër besimit kristian. Bile kur vetë hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë, Thomas Jefferson, ishte kandidat për president në zgjedhjet e vitit 1800, një numër pastorësh e akuzuan atë për ateizëm të hapur dhe shprehën dyshime se administrata e tij do të inkurajonte shthurjen morale duke e çuar republikën e re në një fund të parakohshëm. Por megjithë polemikat e ashpra, Jefferson u zgjodh president dhe Amerika jo vetëm që mbijetoi, por edhe e dyfishoi territorin pasi i bleu Francës zotërimin e Louisiana-s më 1803.
As Amendamenti i Parë, garancia e shtetit laik, nuk u shfuqizua, bile versione të tij u miratuan nga shtetet anëtare njëri pas tjetrit, e kështu për përkrahësit e vizionit të një shteti kristian, u bë e qartë se Amerika s’do të ishte e tillë, të paktën nga ana ligjore. E vetmja rrugë për besimtarët në këto kushte mbetej të arrinin nëpërmjet bindjes objektivin e tyre të mohuar nga ligji, synim që u mishërua në një lëvizje masive të përtëritjes së besimit, të njohur me emrin Zgjimi i Dytë i Madh, në dallim nga lëvizja e ngjashme, Zgjimi i Madh, që pati përfshirë kolonitë gati treçerek shekulli më parë.
Kjo ishte një përpjekje serioze për të realizuar idealin e vjetër puritan të vendosjes së një rendi shoqëror të bazuar vetëm në vullnetin hyjnor, me synimin e transformimit të vendit në një “mbretëri të Zotit” duke vënë parimet biblike në themel të çdo aspekti të jetës publike, e duke kthyer praktikisht Shtetet e Bashkuara në një vend e shtet kristian përtej çdo dyshimi.
Kjo lëvizje u kushtëzua nga disa faktorë, si p.sh. përkrahja e besimtarëve për modelin europian të një kishe zyrtare, pa të cilën mbijetesa e Amerikës quhej e pamundur, si edhe shqetësimi se kushtetuta, me Amendamentin e Parë i kishte hapur dyert çdo lloj herezie, skepticizmi dhe bile përbuzjeje ndaj besimit. Ndërkaq revolucioni francez, me dhunën e mizoritë e panumërta, si dhe me sanksionimin zyrtar të arësyes si Qenia Supreme që duhej adhuruar, i tronditi thellë amerikanët, sidomos besimtarët kristianë. Kjo sepse ndihma e Francës kish qenë vendimtare në suksesin e luftës së tyre për pavarësi, por edhe sepse revolucioni francez shpallte të njëjtat parime si edhe ai amerikan: të drejta të barabarta për të gjithë, bazuar tek “natyra dhe Zoti i natyrës”.
Zgjimi i Dytë ishte pra shprehje e nevojës për një ringjallje të vërtetë të besimit, e ashtu një valë mitingjesh e predikimesh të zjarrta shpërthyen në të gjithë vendin rreth vitit 1800, me pastorët e predikuesit që u bënin thirrje njerëzve për pendesë të thellë, duke u përqëndruar në dashurinë e Zotit, e duke lënë mënjanë dallimet mes sekteve të ndryshme. Predikuesit insistonin se askush s’mund të ishte kristian vetëm për vete, pa kërkuar më të mirën e mundshme edhe për botën përreth, e kësisoj një numër i madh besimtarësh iu kushtuan reformave sociale si psh përmirësimit të kushteve në burgje, luftës kundër alkoolizmit, dhe nismave për edukimin e popullatës në përgjithësi.
Kjo lëvizje e gjerë reformash u përhap në të gjithë vendin, duke u mbështetur edhe nga krijimi një numri të madh organizmash e shoqatash të cilat me punën e tyre arritën të kryejnë ndryshime të thella e të përmirësojne ndjeshëm jetën e qytetarëve. Por pasoja më e dukshme e këtij zgjimi shpirtëror ishte shumëfishimi i përpjekjeve kundër institucionit të skllavërisë, me shembullin më të spikatur atë të autores Harriet Beecher Stowe, të mirënjohur edhe nga publiku ynë. Me përshkrimet e gjalla të tmerreve të skllavërisë në librin i saj të famshëm “Kasollja e Xha Tomit”, ajo dha një ndihmesë tepër të madhe në ndryshimin e opinionit publik si në Veri ashtu edhe në Jug, aq sa presidenti Lincoln gjatë Luftës Civile e quajti atë “gruaja e vockël që filloi një luftë të madhe”.
Po ashtu, mbi bazën e parimeve të besimit kristian, Shoqata Amerikane kundër Skllavërisë iu kushtua luftës për çrrënjosjen përfundimtare të saj duke u angazhuar në fushata intensive për të liruar sa më shumë skllevër e për t’i dërguar sëbashku me zezakët e lirë në bregdetin e Afrikës Perëndimore. Këto përpjekje çuan në themelimin e Republikës së Liberisë më 1847, të vetmit shtet afrikan të pakolonizuar ndonjëherë nga fuqitë europiane. Kjo veprimtari e ethshme sociale e edukuese u shoqërua me përhapjen e protestantizmit në të katër anët e vendit, duke filluar një periudhë të dominimit absolut të këtij versioni të kristianizmit që zgjati për më shumë se një shekull.
Zgjimi i Dytë arriti kësisoj ta rrënjosë thellë idenë e “shtetit kristian”, cilësim që u fut asokohe edhe në disa dokumente zyrtare. Ndërkaq aspektet kritike të këtij koncepti qëndrojnë së pari në atë se duke u nisur nga qëllimet e themeluesve, qenia e Amerikës “shtet kristian” ishte në rastin më të mirë e diskutueshme, por nga ana tjeter ky koncept është i dyshimtë edhe nga pikëpamja e vetë domethënies së tij. Grupe e rryma të ndryshme besimtarësh e kanë kuptuar atë në mënyra të ndryshme, duke filluar qysh nga periudha e Reformës, që përmendëm në artikullin e kaluar, dhe një vend të veçantë ze këtu sekti i rëndësishëm i anabaptistëve, ose ripagëzuesve. Ata e hidhnin poshtë si të pakuptimtë synimin për të kristianizuar kulturën, sepse, me përkufizim, në çdo vend do të kishte gjithmonë njerëz të painteresuar për besimin kristian e për disiplinën e tij morale. Mund të flitej pra për një kishë kristiane, si bashkësi e krijuar me vullnetin e lirë të besimtarëve, por jo për “shtet kristian”.
Refuzimi i vendosur ndaj çdo përzjerjeje të kishës me pushtetin, pra me forcën shtrënguese, u solli anabaptistëve përndjekjen nga të gjitha grupet e tjera kristiane, megjithëse ishte pozicioni i tyre ai që përputhej më tepër me mësimet e Jezu Krishtit e të Dhiatës së Re. Duhet thënë se qëndrimi i tyre vinte vetëm nga dëshira për të mbrojtur pastërtinë e besimit e të kishës, sepse nëse kjo synonte të kristianizonte krejt vendin, duhej të bëhej e pranueshme për publikun në përgjithësi, pra të kompromentonte vlerat e saj themelore. Ishte pikërisht kjo që ndodhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit XIX, kur besimtarët u përpoqën të krijonin në fakt, dhe në mënyrë informale, një Amerikë kristiane që u ishte mohuar formalisht.
Duhet të kujtojmë këtu se vlera më kryesore e më e dashur për shoqërinë amerikane të asaj kohe ishte liria, e kuptuar si liria e individit për të ndjekur interesin e tij personal, dhe e rrënjosur në parimet e natyrës. Por kjo i binte ndesh konceptit kristan të lirisë që nënkupton në thelb një liri për t’u zveshur nga interesi personal me qëllim që t’u shërbehet të tjerëve. Megjithatë, për t’u pranuar nga kultura e përgjithshme, kisha duhej ta mbështeste atë kulturë, e kësisoj kristianët u përpoqën ta paraqesin besimin e tyre si të arsyeshëm e krejt natyror. Si rrjedhojë, e meqë të bardhët gjetën në natyrë dhe në besimin kristian të njëjtat paragjykime që u vinin nga vetë përvoja e tyre jetësore si euro-amerikanë, ata ia përshtatën besimin e tyre normave kulturore, në vend që këto të fundit t’i përshtateshin besimit.
Ndodhi pra ajo së cilës i qenë druajtur anabaptistët e hershëm, e në këtë kontekst të drejtat e patjetërsueshme të të gjithë njerëzve u transformuan lehtësisht në praktikë në të drejta të patjetërsueshme për të gjithë njerëzit e bardhë, duke e zveshur kësisoj besimin kristian nga radikalizmi i mësimeve morale të Jezusit. Në mbarim të këtij procesi njëshekullor ishte vështirë të dalloje kristianizmin amerikan nga kultura amerikane në përgjithësi, dhe shembulli më i qartë e më tragjik i përparësisë së vlerave kulturore ndaj atyre kristiane mbetet padyshim justifikimi i skllavërisë nëpërmjet besimit kristian nga popullsia e bardhë e Jugut. Kjo përparësi ishte në qendër të kritikës së idesë së “shtetit kristian” nga ana e pakicës me ngjyrë, sepse kjo i shihte qartë kontradiktat e kësaj ideje, me të cilën shumica e bardhë s’kishte asnjë problem.
Autorët zezakë, si D. Walker apo F. Douglass, ishin besimtarë kristianë të devotshëm, por ata shtronin pyetjen logjike se si ishte e mundur që një vend edhe të vetëquhej kristian, edhe të ruante skllavërinë për një kohë aq të gjatë. Ata thoshin se shumica e amerikanëve të bardhë s’mund ta kishte seriozisht besimin kristian, e se ungjilli i tyre s’mund të ishte kurrë ungjilli paqësor, i paanshëm e çlirues i Jezu Krishtit, duke konfirmuar pra përsëri atë se rezultati i përpjekjeve për të kristianizuar kulturën do të çonte në komprometimin e vetë besimit kristian.
Edhe pas heqjes së institucionit të skllavërise e mbarimit të Luftës Civile më 1865, diskriminimi racial vazhdoi të ishte pjesë e peizazhit të jetës në Jug për 100 vjet të tjera, duke gëzuar përkrahjen e kishave të bardha. Shumica e tyre u rreshtuan hapur kundër lëvizjes për të drejtat qytetare në vitet ’60 të shekullit XX, e zor se mund të gjendet një personalitet publik zezak që të jetë prononcuar më ashpër asokohe ndaj kishës së bardhë se sa udhëheqësi i asaj lëvizjeje, pastori Martin Luther King. Por megjithë zhgënjimin e tij të madh, King, ashtu si paraardhësit e tij një shekull më parë, bënte kujdes të shprehte qartë dallimin ndërmjet dashurisë së tij për besimin kristian e mësimet e Jezu Krishtit, dhe neverisë për përçudnimet e atij besimi nga Amerika e bardhë.
Deri në fund të jetës së tij ai i qëndroi mendimit se integriteti i kishës amerikane në përgjithësi ishte cënuar shumë nga një përshtatje e tillë me kulturën raciste të Jugut dhe me shpërfilljen e problemeve të tjera sociale. Megjithë kontradiktat që përmendëm, ideja e “shtetit kristian” vazhdoi të ishte shumë e dukshme gjatë gjithë shekullit të kaluar, e bile duke filluar nga vitet ’70 ajo është rikthyer me forcë në arenën publike amerikane, kur një pjesë e besimtarëve vendosën t’u rezistonin me forcë prirjeve laicizuese në rritje, e të mbronin me çdo kusht “Amerikën kristiane”.
Në artikuj të mëvonshëm do të ndalemi në politizimin e kësaj rezistence, të kurorëzuar me përfshirjen masive të besimtarëve në politikë dhe krijimin e grupimeve me objektiva të deklaruara për rikthim te “shteti kristian” e të rreshtuara hapur në një anë të vetme të spektrit politik.
Si përfundim mund të themi që Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një vend kristian në disa aspekte të rëndësishme, sepse ky ishte burimi i shpresave e aspiratave të kolonistëve puritanë, sidoqë prej kohës së tyre deri në krijimin e republikës shtrihet një periudhë gati 200 vjeçare. Pastaj edhe programi e vizioni i themeluesve ishin të rrënjosura në një botëkuptim të kushtëzuar nga parimet morale të judeo-kristiane, e më së fundi, “shteti kristian” u bë pothuaj realitet gjatë shekullit XIX, kryesisht si rezultat i Zgjimit të Dytë.
Nga ana tjetër është gjithaq e vërtetë që ky nocion u zbeh disi gjatë shekullit XX, por ai mbetet ende shumë i fuqishëm, sidomos në krahasim me shoqëritë e vendeve të Europës Perëndimore. Përkushtimi ndaj besimit kristian ka bërë që mijëra misionarë amerikanë të shkojnë e të punojnë në kushte të vështira kudo në botë për të shpallur ungjillin e Krishtit e për të ndihmuar të tjerët me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme.
Dhe ne shqiptarët s’mund të harrojmë aspak ndihmën e madhe të besimtarëve amerikanë për punën e figurave të tilla të panteonit tonë kombëtar si Gjerasim, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, etj.
Por nga ana tjetër ideja e një “Amerike kristiane” është shumë problematike, pikësëpari sepse kundërshton vizionin e etërve themelues, të cilët pavarësisht nga formimi e besimi i tyre, nuk synuan të ndërtonin një shtet haptazi kristian.
Pastaj ky nocion nuk përputhet as me ndryshimet e thella të shoqërisë amerikane qysh prej asaj kohe, e as me ekzistencën e një peizazhi të larmishëm besimesh e kulturash në ditët e sotme. Dhe arsyeja e fundit, por jo më e pakta, është se një “Amerikë kristiane” më së shumti do të thotë një besim kristian i amerikanizuar dhe akulturor, siç e dëshmuan qartë anabaptistët në shekullin XVI dhe zezakët amerikanë gjatë gjithë historisë së tyre.
=0=0=0=0=0=0=0=
Kliko këtu për artikullin paraardhës
https://www.javanews.al/ideja-e-shtetit-te-natyrshem/