Një 27-vjeçar dhe dy të mitur kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës në operacionin e koduar “Shëngjini”. Blutë sekuestruan një sasi kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një sasi kanabis sativa.
Gjithashtu, u sekuestruan armë zjarri pistoletë, 4 krehra, municion luftarak, peshore elektronike, një automjet dhe një sasi lekësh të dyshuara të përftuar nga shitja e lëndës narkotike.
Policia bën me dije se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një hetimi disajavor, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Shëngjini”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. Gj., 27 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
L. F., 17 vjeç dhe K. N., 16 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.
“Shërbimet e Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Shëngjin, Lezhë, pas një hetimi disajavor, kanë ushtruar kontroll në ambientin ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin lëndën narkotike në doza, për shitje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza më lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një sasi lënde narkotike cannabis, armë zjarri pistoletë, municion luftarak, peshore elektronike, një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm dhe një automjet”, bëri me dije policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
g.kosovari