Nga Plator Nesturi
Zhvillimet e vrullshme të këtij viti, duke nisur me rezultatin e zgjedhjeve të prillit, lista me persona “Non Grata” nga Departamenti i Shtetit, shkarkim presidenti dhe deri tek ardhja e refugjatëve nga Afganistani, e bëjnë këtë vjeshtë shumë të veçantë dhe me plot kërshëri për zhvillimet që priten. Këtu nuk është çështja vetëm tek nisja e punës së Parlamentit të ri, apo dhe kureshtjes për emrat e rinj të kabinetit qeveritar. Çështja shtrohet më gjerë dhe ka të bëjë me zhvillimet politike që priten të ndodhin, të cilat për mënyrën si do të vijojnë do të përcaktojnë nëse do të nisin një proces që orientohet drejt të ardhmes dhe modernitetit apo mendësitë e vjetra dhe kalbësirat e politikës 30-vjeçare do të vijojnë të bëhen pengesë për këto procese të natyrshme. Në një vështrim të përgjithshëm vihet re se politika po ecën në dy rrugë ku në secilën lëvizet me shpejtësi të ndryshme. Njëra prej tyre ka shumë më tepër gropa dhe asfalt të dëmtuar, shumë më tepër kthesa e disheza të rrezikshme për tu gremisur dhe ku ndriçimi për të parë se ku shkon destinacioni mungon. Tjetra , megjithëse ka ende probleme për të ndrequr, duket se e ka kaluar pjesën e vështirë të kthesave e të tapëpjetave, dhe tashmë ka zbritur në zonë fushore dhe ku destinacioni evropian është i qartë. Kjo është dhe panorama dhe rrugët në të cilat po ecin opozita dhe mazhoranca, dhe kjo e bën shumë më të veçantë këtë vjeshtë që duket se do të përcaktojë shumë më tepër sesa një ecuri mandati qeverisës.
Opozita në kërkim të vetvetes
Ajo çfarë ka ndodhur në këto muaj kanë kapërcyer kufijtë e një beteje normale politike. Në Shqipëri nuk kanë ndodhur thjesht zgjedhjet parlamentare ku pas përcaktimit të rezultatit rinis një cikël normal i opozitarizmit për të tentuar sërish në garën e ardhshme. Në këtë vjeshtë opozita shqiptare paraqitet duke mos patur armikun kryesor të luftës politike mazhorancën. Lufta është e drejtuar ndaj vetes dhe armiku kryesor i saj është mbijetesa nga copëtimi i mundshëm. Rama thjesht ka fituar zgjedhjet duke e lënë sërish në opozitë PD, porse rreziku vjen nga diku tjetër, nga hijet e së shkuarës me të cilën nuk po arrin të ndahet dhe prej faktit se e gjitha kjo po shton armiqësinë me ndërkombëtarët për të cilët ka nevojë. Çështja Berisha dhe shpallja e tij non grata nga Departamenti i Shtetit, ka bërë që proceset brenda PD të akselerohen dhe me nevojën për të marrë në analizë jo vetëm faktin e mungesës së besueshmërisë tek elektorati por dhe një sërë problemesh të akumuluara prej kohësh dhe që nuk e kanë lejuar PD të shndërrohet në një parti moderne politike. Në këto kushte, shtatori dhe futja në parlament për herë të tretë në opozitë, e gjen me dilemën jo sit ë bëjë opozitë ndaj Ramës por si do të komportohet dhe si do drejtohet në ujërat e turbullta të tanishme. Do ti qëndrojë deri në fund Berishës duke ribashkuar fatin e saj me të tijin, apo do të shndërrohet një parti të re dhe që së pari vë interesin e elektoratit dhe të mbështetësve të saj. Në rrugën e parë, PD rrezikon vërtet ekzistencën e saj, dhe këtë lidershipi i ri e di tashmë. Deputetët e rinj, nuk do të donin të rrezikonin karrierën e tyre për hir të Berishës, sado histori të ketë bërë ai në krye të PD. Me shumë gjasa një pjesë e rëndësishme e deputetëve të rinj do të shkëputeshin duke krijuar një identitet të ri politik në parlament. Nga ana tjetër, mbetja në shërbim të Berishës do të bënte që PD të ftohej përfundimisht me ndërkombëtarët të cilët do të mbështesnin grupimin e ri të dalë prej saj dhe që nuk e sheh fatin të lidhur me të Berishës. Dhe e gjitha kjo thjesht do të ish ndihma më e mirë për një mandate të qetë të Ramës si kryeministër dhe pse jo dhe një fitore pa shumë mundime në zgjedhjet e ardhshme dhe ku opozita do të mbetej sërish e fraksionuar.
Një mandat ku sfida mbetet me vetveten
Me këtë panoramë të politikës në Shqipëri, kryeministri Rama i bie që të jetë i qetë. Të paktën nga ana e opozitës nuk ka atë trysni që mund të vinte prej një PD- je që do të ish e fokusuar vetëm tek betejat politike në parlament e më gjerë. Po kështu nuk e shqetëson më as efekti LSI që ish rritur çuditshëm në këto vite dhe që dinte të bënte presion jo vetëm tek elektorati majtas por dhe tek ndarja e pushtetit. Hesapet me opozitën në përgjithësi pra, janë të kopsitura. Ata do merren gjatë me veten dhe u duhet tepër kohë, energji e vullnet për tu ngritur e për tu bërë lojtarë me ndikim politik. Në këto kushte Rama bastin e ka me veten. Është hera e parë që një mazhorancë arrin të ketë mandatin e tretë radhazi dhe kjo e bën që të shkelë në rrugë të panjohura më parë. Gjithsesi kjo krijon komoditete të reja. Nëse zakonisht një forcë politike mund ta ndryshojë brezin e saj politik gjatë ushtrimit të dy mandative, Rama mund ta nisë këtë shndërrim në kushte të të qenit në pushtet dhe jo në opozitë. Pra, tashmë ka mundësi që për këdo që mendon se e ka mbyllur ciklin, për këdo që mendon se është provuar dhe nuk mund të japë më tepër në sfidat që vijnë, është i zëvendësueshëm pa shumë dhimbje. Në fund të fundit pas tetë vitesh në pushtet mund të provohet një brez tjetër që ka uri për të drejtuar, që ka dëshirë për tu sprovuar dhe që garën e ka me paraardhësit e vet. Gjithsesi gara, përderisa zhvillohet brenda së njëjtës forcë politike, është gjithnjë me vetveten. Kjo formulë me figura të reja mund të jetë dhe shpëtimi i PS për të mos e quajtur një forcë të lodhur. Dhe sidomos kur lodhja vjen nga pushteti, humbjet bëhen më të thella. Deri tani mazhoranca ka dëshmuar se ka ende motivim për tu përballur me sfida të reja. Dhe shembull për këtë është dhe gara që po zhvillohet për tu provuar në karrierë dhe për të dëshmuar veten. Gjithsesi është herët për të gjykuar. Fakti që gjatë ditës së sotme në asamblenë e PS do të shpallet lista e drejtuesve të rinj të kabinetit qeveritar, do të qartësojë shumë gjëra. Që nga filozofia me të cilën mendohet se do qeveriset ky mandate, ashtu dhe me frymën që do të përcillet jo vetëm me emrat e ministrave por dhe të institucioneve të tjera, të cilat kanë një impakt më direkt tek qytetarët. Veçse diçka mbetet e qartë. Përballë një force politike ku drejtuesit janë në rotacion e ndryshueshmëri të vazhdueshme, krahasuar më një tjetër parti ku kanë frikë të ndërrojnë dhe ikonën në murin e saj, është e kuptueshme se forca qëndron tek ndryshimi çka e bën një parti më të hapur dhe më moderne.