Ngjarjet që ndodhën në Afganistan, mënyra si vendosi SHBA për t’u tërhequr prej andej dhe të gjitha skenat kaotike që pasuan procesin e evakuimit të trupave dhe civilëve të huaj e afganë që bashkëpunuan me Perëndimin, duhet të jenë një mësim i mirë për Bashkimin Europian.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel thotë se të gjitha këto janë shembujt më të mirë se përse Europa duhet të përqafojë “një autonomi dhe kapacitete më të mëdha për të vepruar kudo në botë, për të mos u varur nga vendimmarrja amerikane”.
Michel thotë evakuimi i shumë qytetarë afganë që bashkëpunuan me Bashkimin Europian varej nga humori i ushtrisë amerikane.
Michel foli gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni. Ai tha se BE nuk duhet të varet nga fuqitë e tjera në të ardhmen.
“A duhet të kënaqet Europa me një situatë ku ishim të paaftë, të pandihmuar për të evakuuar qytetarët tanë dhe ata që janë nën kërcënim sepse na ndihmuan ne?”, tha ai.
Këtu, Michel e ndali fjalën, pas shqiptuar nevojën e krijimit të një ushtrie të bashkuar të BE-së. Por, nga i njëjti podium kjo kërkesë u shqiptua nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.
“Na duhet të vendosim një politikë mbrojtëse të përbashkët. Nëse nuk e bëjmë tani, kur?”, pyeti ai.
Ideja e krijimit të një ushtrie të përbashkët europiane është e vjetër, por ajo u rikthye vjeshtën e kaluar nga Presidenti francez Emmanuel Macron, pas një incidenti ushtarak që anijet franceze patën me anijet turke në Libi. Ai bëri i bëri thirrje Europës të bashkohet në një ushtri të përbashkët.
Ai tha se Brukseli duhet të kishte mjetet e nevojshme për të përballuar fuqitë armike, si Ankaraja dhe Moska në të ardhmen. Duke theksuar nevojën për një ushtri europiane, Macron deklaroi në një intervistë se shumica e shteteve janë në favor të propozimit, për shkak të konflikteve të shumta brenda NATO-s.
Deklarata e Macron shkaktoi reagimin e ashpër të SHBA, që tha se projekti i ushtrisë europiane do të minojë NATO-n. Presidenti Donald Trump tha në atë kohë se nëse projekti i krijimit të një ushtrie europiane çohet deri në fund, kontinenti nuk do mund të mbështetet më tek ndihma e pakushtëzuar ushtarake e SHBA-së.
/m.j