Nga Spanja, teksa foli në konferencën për shtyp të policisë spanjolle për operacionin me 107 të arrestuar për trafik droge, drejtori i Policisë Shqiptare Ardi Veliu deklaroi se do të identifikohet pasuria e të gjithë anëtarët shqiptarë të bandës.
Veliu deklaroi se me goditjen në pjesën ekonomike, mund të arrihet në paralizimin e këtij grup kriminal.
“Siç e përmendet kolegët parafolës për gati 1 vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore është finalizuar ky operacion i madh ndërkombëtar. Policia shqiptare ka ndihmuar dhe kontribuar për shqiptarët e përfshirë dhe të identifikuar.
Duke u mundësuar kolegëve spanjollë thellimin e hetimeve. Kjo vërtetoi edhe njëherë që policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht por edhe një partner i besueshëm për agjencitë e zbatimit të ligjit. Duke bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar atje ku ka të përfshirë shtetas shqiptarë. Nuk do mjaftohemi me ndalimin e operacionit në këtë stad.
Por do të vazhdojmë në vendin tonë duke identifikuar pronat që kanë ardhur si rezultat i këtij aktiviteti kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë. Me goditjen në pjesën ekonomike mund ta paralizojmë këtë grup. Pavarësisht se ky është operacioni i parë i përbashkët me kolegët spanjollë besoj se do vazhdojmë edhe në të ardhmen me operacione të përbashkëta”, u shpreh ai.
/b.h