Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rikonceptojë kriteret për klasifikimin e bizneseve në linjën VIP.
Në planin strategjik për periudhën 2015-2019 parashikohet specializimi i ekipeve tatimore për të kontrolluar këto lloj biznesesh sipas sektorit ekonomik (p.sh., sektor financiar, telekomunikacion, energjetikë, ndërtim, prodhim, produkte farmaceutike, arsim, tregti, shërbime) dhe do të vazhdohet me mobilizimin e ekipeve me disa persona.
Po ashtu do të ngrihet një mekanizëm për monitorimin e cilësisë së kontrolleve tatimore (p.sh. shqyrtim kolegjial, sektori i kontrollit të cilësisë apo pyetësorë për tatimpaguesit). Në këtë kuadër do të shikohet edhe mundësinë e futjes së mjeteve elektronike të kontrollit tatimor dhe më pas, në bazë të tyre, do të merren vendimet, përcjell “Ora News”.
Gjatë kësaj periudhe tatimet do zbatojnë kompetencat e mbledhjes me forcë të detyrimeve për të përmirësuar efektivitetin dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme. Do të krijohet një strukturë organizative e mbledhjes së borxhit pranë Drejtorisë së Përgjithshme dhe drejtorive rajonale.
Numri i tatimorëve që do të grumbullojnë detyrimet me forcë do të rritet 10-15 për qind. Gjithashtu do të shqyrtohen masat për të siguruar paraprakisht pagesën e tatimit mbi fitimin si dhe do të bëhen rekomandime për përmirësim (p.sh., akte ligjore e nënligjore).
Tatimet në tre vitet e ardhshme do të zhvillojnë struktura dhe sisteme për ta fuqizuar funksionin e mbledhjes së informatave dhe do ta përqendrojmë mandatin e informatave të mbledhura për hetimin e mashtrimit tatimor.
Së fundi, parashikohet rindërtimi i procesit të hetimeve për t’u marrë vetëm me hetimet dhe informatat e çështjeve penale e për t’i çliruar burimet e Task-Forcës për përparësi të tjera të administratës.