Policia e Vlorës njoftoi mëngjesin e kësaj të marte se kishte mundur të zbardhte plagosjen e 41-vjeçarit Edison Begaj, ngjarje e ndodhur në Kaninë të Vlorës më Maj të këtij viti. Kështu autor i dyshuar i ngjarjes, sipas policisë është Mitri Prifti, një 36-vjeçar nga Tirana, i cili tanimë është shpallur në kërkim. Në njoftimin e saj zyrtar policia tha se shkak për ngjarjen ishin bërë motivet e dobëta.
Burime për gazetarin e Klan News, Besar Bajraktari, bëjnë me dije se Mitri Prifti e ka plagosur Edison Begajn për arsye të një sherri të mëparshëm banal.
Kështu, disa ditë para ngjarjes të dy personat janë konfliktuar në një lokal në zonën e Lungomares. Begaj e ka goditur 36-vjeçarin me shpullë në publik. Ky i fundit nuk e ka falur këtë gjë dhe më pas ka tentuar ta vrasë. Mendohet se ky moment është filmuar nga kamerat e barit në fjalë dhe ka qenë kyç për zbardhjen e ngjarjes. Po ashtu, element mjaft i rëndësishëm ka qenë edhe dëshmia e Begajt në polici, çka ka treguar në lidhje me konfliktin në momentet e para pas ngjarjes, teksa më pas kanë nisur hetimet.
Edison Begaj u qëllua pranë shtëpisë, gjatë kohës që në makinën e tij ndodheshin dy fëmijët e vegjël. I maskuar e i armatosur me kallashnikov, autori iu afrua dhe pasi shkëmbyen disa fjalë hapi zjarr, duke e lënë 41-vjeçarin të plagosur.
/a.r