Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, përmes një video-incizimi, ka treguar gjendjen e mushkërive të pacientëve të vaksinuar dhe atyre të pa-vaksinuar.
Në video të MSH-së, pulomologu Shpëtim Thaçi ka treguar se personat që janë vaksinuar janë duke e kaluar më lehtë coronavirusin.
Ai ka thënë se personat e vaksinuar të sëmurë me COVID-19 do të kalojnë një formë të lehtë të sëmundjes me ndryshime minimale në shëndet, duke mos pasur nevojë të hospitalizohen dhe duke mbrojtur jetën e tyre.
Kurse sipas tij personat e pavaksinuar e të sëmurë me koronavirus do të mund të kalojnë një formë të rëndë të sëmundjes për shkak të prekjes së madhe të sistemit respirator nga ky infeksion.
“Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin”, thotë MSH-ja.
Të hënën (30 gusht) në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Rastet e reja dalin pas testimit të 7.384 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 962 qytetarë, ndërsa raste aktive aktualisht janë 26,525.
Ndryshe, më 29 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.
Të shtunën, më 28 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kanë rritur kapacitetet spitalore deri në 1.600 shtretër pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus.