Talebanët kanë mbyllur internetin në luginën Panjshir, ku forcat e rezistencës po mbajnë qëndrimin e fundit kundër tyre në Afganistan.
Sipas mediave të huaja, veprimi supozohet se është ndërmarrë për të parandaluar që ish-zëvendëspresidentin, Amrullah Saleh të ndajë mesazhet e tij në Twitter.
Panjshir është e vetmja provincë e Afganistanit që ende nuk ka rënë nën kontrollin e talebanëve. Disa kundërshtarë talebanë janë mbledhur në Panjshir. Ahmad Massoud, djali i komandantit legjendar të rebelëve afganë Ahmad Shah Massoud, është aktualisht në luginën Panjshir së bashku me ish-zvpresidentin, Amrullah Saleh.
Pasi ish-presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua nga vendi më 15 gusht, Amrullah Saleh e kishte deklaruar veten si president legjitim kujdestar i Afganistanit sipas kushtetutës së vendit.
Sidoqoftë, pretendimi i Saleh nuk është njohur ende nga asnjë vend ose organ ndërkombëtar siç janë Kombet e Bashkuara.