DURRËS
Dy të rinj janë arrestuar në Durrës pasi vendosnin baste sportive nëpërmjet celularëve. Autorët nga Sukthi kishin një ambient për PlayStation ku organizonin dhe aktivitetin tjetër të paligjshëm.
Tashmë materialet për 22-vjeçarin E.S, dhe 20-vjeçarin E.M, janë referuar në Prokurorinë e Durrësit.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Durrës
Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, të cilët nëpërmjet aparateve të tyre celular, organizonin aktivitetin e lotarive të palejuara të basteve sportive.
Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë goditur një rast të ushtrimit të aktivitetit të lotarive të palejuara, (basteve sportive), në Sukth, Durrës, duke arrestuar në flagrancë shtetasit E. S., 22 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Këta shtetas, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientin (PlayStation), në pronësi të shtetasit A. B., duke organizuar dhe ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara (baste sportive), nëpërmjet aparateve të tyre celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e brendshme ku disponohej informacion se mund të zhvillohej aktivitet i kundraligjshëm i lojrave të fatit nëpërmjet makinetave, çipsave, ruletave e sende të tjera që shërbenin për zhvillimin e këtyre lojrave, nuk është konstatuar asnjë send i tillë, përveç aparatëve celular të sekuestruar, që shërbenin për zhvillimin e aktivitetit të basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.