Situata e pandemisë po përkeqësohet. Çdo ditë shifrat në Shqipëri por edhe në vendet e rajonit po vijnë në rritje. Sipas ekspertëve të shëndetësisë mbrojtja më e mirë sidomos për të shmangur fatalitetet dhe rastet kritike, është vaksinimi, pasi çdo person mund të infektohet nga koronavirusi.
“Variantet e reja të cilat janë tepër të transmetueshme, mund të bëhen forma të rënda të sëmundjes. Madje mund të shtrohn në spital dhe mund të shkaktohen për fat të keq edhe vdekje. Kjo është arsyeja që çdo person, e ka kaluar apo jo Covid, duhe të vaksinohet”.
Rritja e rasteve të reja por edhe të fatalitete ka bërë që interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar të rritet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më tani janë administruar më shumë se 1.4 milionë doza të vaksinës anti-Covid. Pjesë e procesit të vaksinimit janë bërë mbi 802 mijë qytetarë, prej të cilëve rreth 603 mijë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anti-Covid, ndërsa 199 mijë janë vaksinuar me një dozë.
Muaji Gusht por edhe Shtatori do të jetë muaj i hapur i vaksinimit masiv për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur rreth 1,900 vaksina anti-Covid.
/a.r