Në Shqipëri nuk do të ketë vaksinime të detyrueshme. Këtë e bëri të ditur, Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili tha se ka disa grupe siç janë mjekët apo mësuesit, që përveçse duhet të mbrojnë veten duhet të mbrojnë edhe komunitetin ku punojnë.
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico tha se kjo kategori e punëtorëve duhet të vërtetojnë që nuk janë persona që infektojnë të tjerët.
“Në Shqipëri vaksinimi nuk është i detyruar dhe këtë e kemi ndjekur për një kohë të gjatë dhe do vazhdojmë të ndjekim. Është e vërtetë që referencat që keni ju i kemi parë edhe ne. Por ka disa elemente siç janë grupet si mjekë, arsimtare që përpos detyrës qytetare të mbrojtjes së vetes duhet të mbrojnë komunitet që punojnë.
Ne nuk detyrojmë askënd, por ka metoda alternative që dikush të punojë në një vend të caktuar, por drejtuesit dhe administratoret duhet të jenë të qetë që punëtori është brenda parametrave të punës. Ti nuk detyron, por ai duhet të provojë statusin e mos infektivitetit”, u shpreh Fico.
Sa i takon shkollave, Fico u shpreh se ka një protokoll që duhet të zbatohet dhe me shifrat që janë aktualisht nuk do të ketë mbyllje të shkollave.
“Sa i takon shkollave, ISHP ka në përfundim një protokoll që do ti shërbejë arsimimit qifte të hapur qoftë me alternime, ne shikojmë situatën dhe do të vijojmë”, tha Fico.
Edhe zv/ministrja Mira Rakacolli tha: “Shkollat do të hapen atëherë kur është e përcaktuar, sepse arsimtarët i kemi të vaksinuar. Me shifrat që kemi sot nuk diskutohet hapja”.
g.kosovari