Në atentatin ku mbeti i vdekur 40-vjeçari Bledar Muça dhe u plagosën 5 të tjerë janë përdorur dy armë automatike kallashnikov, të cilave u janë fshirë numrat seria. Dy armët e zjarrit janë gjetur në automjetin tip Golf pa targa i cili u shkrumbua pas ngjarjes, në fshatin Thanasaj.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor ka rindërtuar dinamiken e vrasjes së pronarit të lokalit në qendër të Lushnjës. Sipas hetuesve të cilët kanë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje, në automjet kanë qenë dy persona të maskuar. Ata kanë ndaluar dhe janë afruar pranë tavolinës ku pinte kafene viktima Bledar Muça dhe kunati i tij Judmir Velo, duke qëlluar në drejtim të tyre.
Në momentin e atentatit, rreth orës 22, zona ka qenë e populluar nga klientët dhe plumbat e dala nga arma e kallashnikovit prej shkrepjes së autorëve kanë prekur një territor të gjerë në rreth 100 metra katror. Viktima ishte ulur si çdo nate në tavolinën e vendosur buzë rrugës ku kalojën automjetet, duke krijuar kështu lehtësi për autorët e krimit.
Pas kryerjes se atentatit ata menjëherë janë larguar për tek ura e trenit në Rrogozhinë, pranë lumit Shkumbin ku kanë djegur makinën tip Golf 5 me targa italiane, të cilin e kishin vjedhur. Autoret dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë për të humbur gjurmën dhe për t’u arratisur.
Për këtë arsye kontrolle të shumta janë kryer gjatë natës, si dhe janë marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë, përfshirë dhe stafin e lokalit qe eshte ne pronesi të viktimës.
Grupin hetimor pritet ta ndihmojnë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, pasi në vendin ku u ekzekutua Bledar Muça ka shumë biznese, që mund të kenë dokumentuar te gjithe itinerarin e autoreve te cilet para se te afroheshin ne vendin e krimit mund te mos kene përdorur maska.
Ndërkohë pesë të plagosurit Sara Cici, Sara Cauli, Majlinda Gjyla , Ervis Tafa dhe Judmir Velo ishin të ulur në tavolinat e bar Pedonales, ku dhe morën plumba në pjesë të ndryshme të trupit. Pas ndihmës mjekësore ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Viktima rezulton me skedë të pastër penale dhe prej 5 vitesh administronte lokalin në qendër të qytetit të Lushnjës. Ai është dhëndër i Roland Shytit, i njohur me pseudonimin mustaqe kuqi, anëtar i bandës Hakmarrja për drejtësi, i cili prej vitesh administron disa prona në qytetin e Lushnjës. Një nga pistat e hetimit është ajo e konflikteve financiare të këtyre bizneseve.
/a.r