Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kërkoi nga sektori privat dhe qeveritë lokale që t’i urdhërojnë punonjësit e tyre që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Biden i bëri komentet pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) i dha të hënën miratimin e plotë vaksinës Pfizer/BioNTech.
“Nëse jeni udhëheqës biznesi, udhëheqës jofitimprurës, udhëheqës shtetëror ose lokal, që keni pritur miratimin e plotë të FDA-së për të kërkuar vaksinimin, unë ju bëj thirrje që ta bëni këtë tani”, tha Biden.
Menjëherë pas njoftimit të FDA-së të hënën, Pentagoni tha se është duke u përgatitur për përfshirjen e vaksinës në listën e injeksioneve të detyrueshme për personelin ushtarak amerikan.
Edhe qyteti i Nju Jorkut tha se do të kërkojë nga mësuesit dhe stafi i shkollave publike të vaksinohen kundër koronavirusit.
Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent qysh në dhjetor.
Që atëherë, mbi 204 milionë njerëz vetëm në SHBA e kanë marrë këtë vaksinë.
Pak mbi gjysma e popullsisë në SHBA është e vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.
Dy vaksinat tjera që jepen atje, janë: Moderna dhe Johnson&Johnson.
Moderna gjithashtu ka aplikuar në FDA për miratimin e plotë të vaksinës së saj, ndërsa Johnson&Johnson shpreson ta bëjë këtë gjatë vitit./REL
g.kosovari