Kosova regjisroi ditën e sotme shifra rekord të rasteve të reja dhe të vdekjeve që kapën shifrën e 17 viktimave.
Mes 17 qytetarëve që nuk e fituan dot betejën ishte i pari rast i vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës që humb jetën.
Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e OBSH-së në Kosovë ka thënë se të vdekurit në Kosovë që kanë qenë të infektuar me coronavirus nuk kane qenë të imunizuar.
“Të vdekurit nuk kane qenë të vaksinuar apo kanë qenë të vaksinuar vetëm me një dozë. Kemi vetëm një rast ku një person ka vdekur edhe pse ka marrë dy doza të vaksinës, por që dozën e fundit e kishte marre një javë para vdekjes por gjendje e saj ishte rënduar nga sëmundjet e zemrës që ka pasur”, ka deklaruar Humolli.
Zyrtarja e OBSH-së thotë se fatkeqësia e këtij virusi është se ai e ndryshon strukturën e tij antigjenike.
“Varianti ‘Delta’ është shumë infektues dhe sulmon kryesisht grupmoshat e reja. Ky virus është shumë i paparashikueshëm. Pra një person mund të mos ketë asnjë sëmundje përcjellëse dhe me infektimin nga ky virus mund edhe të pësoj vdekjen”, tha ajo për RTV Dukagjinin.
/b.h