Nga Mero Baze
E gjithë historia e një koncerti të rëndomtë në një panair birre në Korçë, tani na shërben për të kuptuar se sa i papranueshëm është talibanizmi i Albin Kurtit në Shqipëri.
E gjithë historia nuk vlen as për të vlerësuar apo zhvlerësuar Bregoviçin, as për të kuptuar që Albin Kurti e organizoi këtë fushatë kundër Shqipërisë për të tërhequr vëmendjen nga masakra e epidemisë jashtë kontrollit ku ka zhytur popullin e vet në Kosovë.
I gjithë eksperimenti u bë që të provohet se Albin Kurti mund të diktojë dhe në Shqipëri.
E gjithë çfarë ndodhi në koncert dhe sidomos aksioni guerril për të hedhur gaz lotësjellës, dhe më pas reagimi i qytetarëve ndaj këtij akti, treguan distancën jo vetëm kulturore, por dhe distancën urbane dhe politike të shoqërisë shqiptare, nga një rrymë e talibanizmit politik që po tenton t’i ofrohet nga Albin Kurti, Shqipërisë, përmes dhunës “patriotike”.
Modeli i tifozëve serb të Cervena Zvezdës, që tentojnë të diktojnë rregulla politike përmes dhunës, i eksportuar në Shqipëri nga Albin Kurti me guerrilasit e vet tek të ashtuquajturit “Tifozat Kuq e Zi”, ishte e vetmja gjë serbe në panairin e birrës në Korçë. Këtë e kishim dhuratë nga Albin Kurti. Të tjerat ishin reagime shqiptare.
Qetësia dhe qytetaria me të cilën qytetarët injoruan guerrilasin e Albin Kurtit në koncert, ishte shuplaka e parë.
Vendosmëria për të ndjekur deri në fund koncertin, ndoshta nuk do të ishte aq e madhe nga qytetarët kryesisht korçarë, sikur Albin Kurti të mos kishte bërë atë gjest të shëmtuar.
Sharjet disa javore kundër Korçës, anatemimi i saj si qytet i shitur tek “ortodoksët serbë” dhe një mijë talibanizma të tjera kundër saj, në fakt bëjnë diferencën mes një qyteti të ndriçuar dhe njerëzve të errësirës.
Njësoj e kanë sharë Korçën dhe disa paraardhës të tyre, një shekull e ca më parë, kur ka hapur shkollën e parë shqipe, pasi po tradhtonte gjuhën e Dovletit.
Por shuplaka e dytë dhe më e rëndë ndaj Albin Kurtit, ishte reagimi i mbarë shoqërisë kur një kokëbosh që ka si përfaqësues të tij në Tiranë, filloi të mburrej me “atentatorin ” e gazit lotësjellës në mes të koncertit, mes fëmijëve.
Madje këtu pati dhe ironi ndaj policisë, që nuk ia gjeti dot ku e kishte futur gazin lotësjellës atentatori dhe mallkime për ata që shkojnë me fëmijë në koncert.
Në fakt, në këtë pikën e fshehjes gazit lotësjellës, “Vetëvendosja” është e përgatitur, pasi shpesh ka përdorur dhe të brendshmet e grave për ta futur gazin në Parlament. Nuk e konkurrojmë dot në këtë pikë.
Ashtu siç nuk konkurrojmë dot në argumentet e talibanëve që e mbështesnin këtë akt, sidomos nga Kosova, ku gjenin si arsye të forta pse duheshin helmuar fëmijët, faktin që “një familje e mirë myslimane nuk i çon fëmijët dhe gratë në koncert të birrës”.
Por reagimi i fortë nga Shqipëria kundër gjestit të Albin Kurtit, bëri që ky kokëboshi i tij në Tiranë të tërhiqej nga marrja përsipër e këtij akti, për më tepër që i doli dhe guerrilasi me precedentë penal.
Kjo e ilustron më së miri dështimin e eksperimentit patriotik të Albin Kurtit, për të krijuar një standard të policisë patriotike në Shqipëri, si mekanizëm politik të tij.
E gjithë ngjarja tregoi sa i papranueshëm është në Shqipëri një politikan populist, që në përpjekje për të mbuluar dështimet e veta në qeverisje në Kosovë, tenton të shpikë tema “patriotike” ku ai është në anën e së mirës dhe armiqtë në anën e së keqes. E kanë votuar t’i shpëtojë kosovarët nga pandemia, e jo korçarët nga muzika e Bregoviçit.
Dje ai nuk arriti të prodhojë dot aq shumë zhurmë, sa të mbulonte faktin që sot në Kosovë vdiqën 17 vetë nga pandemia, për të cilën kanë votuar Albin Kurtin t’i shpëtojë. Asnjë serb i vetëm s’ka vrarë kaq shqiptarë në një ditë. Këta që këndojnë jo e jo.