Kreu i PD, Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh në Ditën Europiane të përkujtimit të viktimave nga regjimet totalitare apo autoritare.
Në Shqipëri një regjim i tillë ishte ai komunist teksa Basha thotë se ajo plagë kombëtare vijon ende të sëmbojë pasi vendi ynë ende nuk e ka tejkaluar.
Lideri demokrat kërkon që shqiptarët të nxjerrin mësime nga diktatira komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojnë në mënyrë që të mos lejohet më asnjë formë autoritarizmi të ndajë Shqipërinë nga Europa, perëndimi dhe liria.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, nuk është vetëm një ditë kujtese por edhe reflektimi për një plagë kombëtare që vijon të sëmbojë, pasi Shqipëria ende nuk e ka tejkaluar. Kujtesa dhe nderimi për viktimat e regjimit më çnjerëzor në Europë, që mohoi liritë dhe të drejtat, dinjitetin njerëzor dhe besimin në Zot, duhet të shkojë krah për krah me vetëdijen se shumë mbetet për t’u bërë, që xhelatët të mbeten në atë krah të historisë që Europa mbarë u ka caktuar regjimeve gjakatare. Sepse ai krah nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe këtë e konfirmojnë 34,135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7,022 prej të cilëve vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 të vdekur në burgjet e regjimit dhe 6,027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Ne shqiptarët kemi më shumë viktima se shumë kombe në botën demokratike për të përkujtuar. Ndaj ju ftoj të kujtojmë, të nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave që na shkaktoi diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojmë. Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria.
Qoftë i paharruar kujtimi i shqiptarëve që e paguan me jetën e tyre instalimin dhe pushtetin absolut të rregjimit komunist! #BlackRibbonDay
/b.h