Gjatë ditës së sotme, policia ka monitoruar me radar rrugën interurbane Krrabë-Elbasan në Dopaj.
Sipas policisë, gjatë 12 orëve kontroll, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 157 km/h deri në 162 km/h në kulmin e trafikut.
“Nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, prej mëngjesit të sotëm deri tani janë tërhequr 15 leje drejtimi për shpejtësi tej normës së lejuar. Janë vendosur 34 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative me vlerë 40.000 lekë të rinj pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, policia apelon drejtuesit e mjeteve që të qarkullojnë brenda limiteve, ndërsa paralajmëron që në fundjavë të kenë kujdes, pasi të gjitha akset rrugore do të jenë nën monitorim.
“Drejtues mjetesh: Qarkulloni brenda limiteve të lejuara që destinacioni juaj të jetë i sigurt, mos fluturoni se shpejtësia vret jetë.
Shijoni fundjavën por mos fluturoni në rrugë se në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e nga Korca në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik”. /m.j