Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi Europën se nuk do të pranojë refugjatë nga Afganistani, pas vendosjes së regjimit të talebanëve. Sipas tij, europianët duhet të gjejnë vetë zgjidhje në rast të një dyndjeje të mundshme.
Instalimi i një regjimi esktremist, të dhunshëm e persekutues në Afganistan shton frikën se vendet fqinje dhe Europa mund të përballen me një valë të re dyndjesh masive të refugjatëve si ajo e vitit 2015.
Për t’i paraprirë një situate të tillë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u bëri thirrje vendeve europiane, si aleatët kryesorë të amerikanëve në luftën 20-vjeçare të Afganistanit, të marrin të gjitha përgjegjësitë për atë çfarë mund të ndodhë.
“Turqia nuk ka për detyrë apo përgjegjësi të shndërrohet në magazinë emigrantësh për Europën. Do të mbyllim fortë kufijtë tanë dhe t’i kthejmë emigrantët e paligjshëm në shtëpi dhe do t’u takojë europianëve të vendosin se ku do i çojnë“.
Erdogan do të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për këtë çështje.
Në një intervistë të mëhershme, presidenti amerikan Joe Biden la të hapur mundësinë që edhe Shtetet e Bashkuara ta njohin si legjitime qeverinë e talebanëve në Afganistan.
Por sipas tij, ata nuk e kanë vullnetin për të përmbushur kriteret për t’a arritur këtë, ndër të cilët, më kryesori është respektimi i të drejtave të njeriut.
/a.r