Nga Eduard Zaloshnja
Shpeshherë në media, përmendet shifra 900 mijë banorë apo edhe 1 milion banorë për Tiranën aktuale. Por rrallë sqarohet nëse bëhet fjalë për Qarkun Tiranë, Bashkinë Tiranë, apo për zonën urbane të Bashkisë Tiranë.
Po t’i referohemi shifrave më të fundit të INSTAT-it, rezulton se në Qarkun Tiranë banojnë aktualisht gjithsej 912 mijë banorë (ku përfshihen fëmijë e të rritur). Qarku Tiranë përbëhet nga bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë.
Duke kryqëzuar shifrat e INSTAT-it me të KQZ-së, mund të ekstrapolohet se në Bashkinë Tiranë banojnë aktualisht rreth 685 mijë banorë (ku përfshihen fëmijë e të rritur). Bashkia Tiranë përbëhet aktualisht nga 11 ish-minibashkitë (që formonin bashkinë deri para pesë vjetësh), si dhe ish-komunat e lagjet e reja përreth. Kufiri aktual i Bashkisë Tiranë përfshin një territor të madh urban e ruaral, duke filluar nga Lumi i Tiranës në veri, Mali i Fekenit në lindje, Mali i Krrabës në jug, dhe Kodrat e Ndroqit në perëndim).
Në 11 ish-minibashkitë e dikurshme të Tiranës, banojnë aktualisht rreth 555 mijë banorë (ku përfshihen fëmijë e të rritur). Ndërsa në territorin që shtrihet brenda vijës së verdhë urbane të 1989-ës, aktualisht banojnë rreth 410 mijë banorë (ku përfshihen fëmijë e të rritur). Në vitin 1989, brenda vijës së verdhë urbane, u regjistruan 195 mijë banorë.