Artisti binte shpesh në dashuri. Ai e donte femrën, kishte nevojë për të. Aty, në linjat e saj, në mishin që pulsonte, në gjirin që tundej lehtë, në lëkurën e bardhë që drithërohej, ai gjente frymëzimin e tij Paris, sheshi “Denfert Rochereau”. “Luani” madhështor i Belfort-it, atëherë nuk ishte vendosur këtu. Ishte një shesh me pemë, që toka poshtë fshihte varrezat e të varfërve të hedhur aty në shekujt XVI-XVII, stola dhe rrugët që shkonin nga shumë drejtime, por njëra prej tyre merrte drejt bulevardit “Arago”.
Pikërisht andej kaloj shpesh për të takuar mikun tim, Omer Kaleshi, piktorin që punon si një murg në atelierin e tij apo në shtëpizën e tij, atje në katin e shtatë, nën çati, ku mbi kokën e tij fillon hapësira qiellore, bota mistike e hyjnive, nëse ata ekzistojnë.
E pra, sa herë kaloj, më shfaqet imazhi i Modiglianit, me atë pallton e tij prej veluri të zi dhe shallin e kuq rreth qafës, si një varfanjak fisnik, pasi ishte piktura që e bënte atë fisnik, piktura dhe dashuria, dashuria për artin dhe femrën.
Ishte erotizmi dhe jo më kot, kur flitet për historinë e erotizmit në art, nuk mund të mos përmendësh nudot e mrekulluara të Modiglianit, fytyrat, linjat, gjinjtë dhe trupin e përkorë, atë që e bënte të pulsonte shpirtin dhe penelin e tij.
Modigliani (që unë e njoha përmes albumeve që qarkullonin fshehurazi në vitin 1975 (Ali Oseku e adhuronte këtë piktor) jetonte përmes pikturës dhe i pandarë me të.
Pikërisht në atë shesh, pas një pije në “bistrotë” aty pranë, shpesh në këndin “Vavin”, në cep të bulevardit Montparnasse, miqtë e tij artistë kishin dashur ta çonin në shtëpi por Modi nuk kishte pranuar. Në atë ditë janari, ata e kishin lënë aty, në ngricën e natës dhe disa orë më vonë në kthim e kishin gjetur po aty, të mbledhur kruspull, me kollën e përhershme të tij, si një tuberkuloz i mjerë.