Talebanët kanë deklaruar fundin e luftës në Afganistan pasi morën nën kontroll edhe Pallatin Presidencial në Kabul, në një kohë kur forcat perëndimore po përpiqen që të evakuojnë qytetarët e tyre nga aeroporti. Presidenti Ashraf Ghani u arratis nga vendi duke thënë se donte që të shmangte gjakderdhjen, ndërsa me qindra afganë të dëshpëruar kërkojnë të largohen.
“Sot është një ditë e madhe për të gjithë popullin afgan dhe muxhahedinët. Jemi dëshmitarë të frytit të përpjekjeve dhe sakrificës 20-vjeçare. Falemnderit Zotit, lufta ka mbaruar në vend”, tha për Al Jazeera zëdhënësi i zyrës politike të talebanëve, Mohammad Naeem.
Talebanëve iu deshën vetëm disa javë që të merrnin pushtetin, ndërsa forcat qeveritare, të trajnuara dhe financuar prej vitesh nga Shtetet e Bashkuara kapitulluan direkt, në disa raste edhe pa luftuar fare. Naeem tha se së shpejti do të bëhet i qartë regjimi i ri në Afganistan, duke shtuar se talebanët nuk kërkojnë që të jetojnë në izolim dhe ka bërë thirrje për marrëdhënie ndërkombëtare paqësore.
“Kemi arritur atë që kërkonim, që është liria e vendit dhe pavarësia e njerëzve tanë. Nuk do të lejojmë njeri që t’i përdorë tokat tona si shënjestër për të tjerët dhe nuk duam që të dëmtojmë të tjerët”, tha ai.
Një lider i talebanëve tha për Reuters se kryengritësit po rimblidhen në provinca të ndryshme dhe po presin largimin e forcave të huaja duke krijuar një strukturë të re qeverisjeje. Anonimisht ai ka thënë se luftuesit talebanë janë urdhëruar që të lejojnë afganët që të përsërisin aktivitetet ditore dhe të mos bëjnë asgjë që trembin civilët.
“Jeta normale do të vazhdojë në një mënyrë më të mirë, kjo është ajo që mund të them për momentin”, tha ai për Reuters.
Rrugë kryesore të Kabulit janë të braktisura, ndërsa banorët u zgjuan duke menduar për të ardhmen e tyre.
“Jam në gjendje të plotë shoku. Di që nuk do të ketë të huaj, asnjë ndërkombëtar nuk do të vijë në Kabul”, tha Sherzad Karim Stanekzai, i cili e kaloi natën në dyqanin e tij të tapetave për ta ruajtur.
Siç shkruajnë mediat, militantët projektojnë një fytyrë më të moderuar, duke premtuar respekt për të drejtat e grave, dhe të mbrojnë të huajt dhe afganët.
/b.h