Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për antarësim në Bashkimin Evropian ishin bllokuar prej dy dekadash nga mosmarrëveshjet për emrin me Greqinë. Pas një kompromisi jo të lehtë që dha shpresa se mund të hapej rruga, kanë dalë pengesa të tjera, këtë herë nga Bullgaria, e cila ka ngritur kundërshti lidhur me gjuhën dhe trashëgiminë historike.
Shqipëria, fati i së cilës në përpjekjet për antarësim në BE është i lidhur me Maqedoninë e Veriut, është tani viktimë e rastit.
Si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Shqipëria kishin shpresa të mëdha për këtë vit, por përparimi ngeci në një takim të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në BE, ku Bullgaria përdori veton si anëtare e Bashkimit për të bllokuar fillimin e negociatave të antarësimit me Maqedoninë e Veriut.
Ndër shqetësimet kulturore e historike, Sofja i ka kërkuar Shkupit të pohojë se gjuha që flitet në Maqedoninë e Veriut rrjedh nga bullgarishtja. Për qeverinë e Shkupit, kjo është vështirë të gëlltitet, pas kompromisit që bëri duke i shtuar emrit zyrtar cilësorin “E Veriut” për të qetësuar Greqinë dhe kundërshtitë e saj për emrin, me të cilin identifikohet edhe një krahinë në Greqi.
Qeveria e Shkupit tha se nuk ka në plan të heqë dorë nga synimet për aderim në BE dhe se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje.
“Nëse ka vullnet politik dhe rol udhëheqës nga pala bullgare, mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje që është në të mirë të miqësisë maqedono-bullgare, për premtimin evropian ndaj rajonit dhe për Maqedoninë e Veriut. Ekziston ende një “sikur” sepse ne bëmë të pamundurën,” tha Nikola Dimitrov, zëvendës kryeministër i Maqedonisë së Veriut për marrëdhëniet me Evropën, siç njofton Euronews.
Në një deklaratë më 28 qershor të postuar në faqen elektronike të Ministrisë së Jashtme, Bullgaria thekson se është e angazhuar për të zgjidhur mospajtimet me Maqedoninë e Veriut por kërkon t’u jepet fund atyre që i cilëson si shtypje të të drejtave të banorëve në Maqedoninë e Veriut “të cilët e konsiderojnë veten bullgarë”.
Ekspertë në Shtetet e Bashkuara, të cilët mbështesin procesin e integrimit të tërë Ballkanit në BE, paralajmërojnë se vonesat në hapjen e bisedimeve me këto dy vende mund të shfrytëzohen nga Rusia dhe Kina për të shtuar ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.
Eksperti për zhvillimet ballkanike, Edward Joseph e cilëson këtë ngecje si një sfidë shumë serioze për BE-në dhe vizionin e saj.
“Ky është një bllokim i pajustikueshëm, një imponim nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. Dështimi në këtë proces do të destabilizojë Ballkanin dhe përfaqëson një hapje për Rusinë dhe Kinën në rajon,” tha zoti Joseph për shërbimin e VOA-s në gjuhën maqedonase.
Të gjitha vendet e tjera të BE-së shprehen se Maqedonia e Veriut është gati për antarësim.
“Maqedonia e Veriut ka bërë ato që i janë kërkuar; ka bërë më shumë se ç’u është kërkuar vendeve të tjera. Ne në Shtetet e Bashkuara e respektojmë atë që bëri Maqedonia e Veriut si një kompromis i mirëfilltë me Greqinë,” thotë zoti Joseph.
Ai argumenton se Bullgaria kërkon nga Shkupi “të pranojë një version të historisë, një version mbi identitetin e tyre, por faktikisht ky version që Bullgaria e kërkon me ngulm është kundër vlerave të BE-së” që kërkojnë nga avendet anëtare të mos sjellin mosmarrëveshje dypalëshe në procesin e zgjerimit.
Bullgaria, nga ana e saj, këmbëngul se e konsideron zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor si prioritet dhe se nuk është kundër bisedimeve për antarësimin e Shqipërisë, megjithëse për momentin blloku nuk është i gatshëm të hapë bisedime me asnjërin prej këtyre dy vendeve në mënyrë individuale.
Analisti Joseph shton se nëse vendet anëtare të BE-së nuk janë në gjendje t’i ushtrojnë presion të mjaftueshëm Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të çuar përpara procesin, SHBA duhet të angazhohet në këtë çështje.
“Uashingtoni duhet të bashkojë forcat me Brukselin dhe me aleatët kryesorë në Berlin, Paris etj, dhe të ushtrohet presioni i duhur,” thotë analisti duke shtuar se Presidenti Joe Biden pat thënë vetë në vitet 1990 se administrata e atëhershme Clinton duhet të bënte më shumë për të integruar Ballkanin me Evropën Perëndimore.
Erwan Fouéré, ish-përfaqësues i posaçëm i BE-së në Maqedoninë e Veriut, ofron një analizë të ngjashme:
“Amerikanët duan ta shohin BE-në në rol udhëheqës. Për fat të keq, BE-ja nuk po e luan këtë rol si duhet. Situata me Bullgarinë dhe vetoja që përdori Bullgaria minojnë tërë axhendën e Bashkimit Evropian për zgjerim. Të gjitha ato premtime që i janë bërë Maqedonisë së Veriut janë shkelur; tani shtohet një tjetër premtim i shkelur,” thotë zoti Fouéré për Zërin e Amerikës.
Ish-zyrtari Fouéré, aktualisht studiues në Qendrën për Politika Evropiane në Bruksel, thotë se rruga përpara mund të kërkojë “ndërmjetësim nga një palë e tretë, si Këshilli i Evropës, apo OSBE-ja. Këto janë organizma me përvojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe,” thotë ai.
/b.h