Bashkia Tiranë ka nisur nga puna për prishjen e pallateve që mbetën të dëmtuara nga tërmeti. Me tërmetin e shtatorit dhe atë të 26 nëntorit që goditën Shqipërinë njeri pas tjetrit në 2019 shumë pallate të vjetra në vend u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme. Kështu, pas shpërnguljes së qytetarëve në banesa të tjera dhe akomodimin e tyre në qendrat sociale, Bashkia Tiranë deklaroi se këto pallatet do të shemben dhe do të ndërtohen nga e para me kushte më të mira dhe me më shumë hapësirë për ata që do të banojnë atyre.
Pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për lëmimin e një fondi të nevojshëm për ndërtimin e këtyre pallateve. Ndërkohë, së fundmi Bashkia Tiranë ka miratuar vendimin për të filluar nga shembja e tyre dhe ka shpallur tenderin për këtë projekt, për të nisur sa më parë punë për rindërtimin. Tani fondet, projekti dhe çdo gjë tjetër është gati. Sipas të dhënave të publikuar nga “Open Data”, në total do të prishen 28 pallate, të cilët do të rindërtohen konkretisht në njësinë Administrative Kërrabë, në njësinë Administrative Zall Herr dhe në njësitë administrative nr. 1; 2; 4; 6; 8; 9 në Tiranë.
Ndër të tjera bëhet me dije se, nga tenderi i shpallur në korrik të këtij viti kanë dalë fituese 3 kompani, të cilat do të merren me zhvillimin e këtij projekti, për mbylljen sa më parë të tij dhe akomodimin banorëve nëpër hyrjet e reja. Sipas të dhënave, këto kompani do duhet të përfundojnë me mbylljen e projektit në maj të viti 2022. “Janë identifikuar si operatorë ekonomikë të suksesshëm për lidhjen e marrëveshjes kuadër: Operatori ekonomik “A&E Engineering” shpk; Bashkimi i operatorëve ekonomikë “MAGING Studio” shpk & “IMES -D” shpk dhe operatori ekonomik “Net-Group” shpk”, thuhet në dokument.
Fondi në dispozicion
Në këtë raport të publikuar nga Open Data raportohet se fillimi i këtij projekti është bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave pak javë më parë, ku është përcaktuar fondi që do të përdoret për rindërtimin e pallateve. Sipas këtij vendimi, në total do të përdoren mbi 317 milionë lekë pa TVSH. “Fonde të vena në dispozicion sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 129, datë 3.3.2021 “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e përgatitjes së shesheve të ndërtimit, në Bashkinë Tiranë”.
Në këtë vendim Këshilli i Ministrave vendosi: Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 317. 313. 375 lekësh pa TVSH, për financimin e përgatitjes së shesheve të ndërtimit, për shembjen e pallateve të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre, në Bashkinë Tiranë”, thuhet në dokument. Më herët bashkia Tiranë ka sqaruar se është arritur në dakordësi me banorët për prishjen e pallateve dhe rindërtimin e tyre, sepse në shumë raste banorët kanë rënë pre e dezinformimeve të ndryshme. Prandaj për çdo hap të hedhur është nënshkruar një kontratë mes banorëve të prekur dhe Bashkisë Tiranë.
Ndër të tjera, sqarohet se banorët do të marrin aq hapësirë sa zotëronin, madje ata që kanë pasur biznes në këtë pallat do të marrin sërish po aq metra katror për të rihapur biznesin e tyre. Gjithashtu, ato familje që janë më shumë se një kurorë në shtëpi do të marrin dy apo tre hyrje.
/b.h