Ka vetëm pak kohë që ka mbushur 18 vjeç dhe nuk është regjistruar tek Zyra e Punës. Për këtë arsye, G.Z nga qyteti i Fierit penalizohet prej gjashtë muajsh nga përfitimi i ndihmës ekonomike.
Të gjendur në kushte të vështira financiare e njëkohësisht të painformuar për rregullat që duhet të ndjekin, G.Z dhe familja e saj nuk janë të vetmit që penalizohen nga e drejta për për të përfituar ndihmë ekonomike.
Në të gjithë vendin janë me dhjetëra familjet dhe individët, të cilët mbeten jashtë skemës së ndihmës për këtë arsye.
Ndihma Sociale dhe Shërbimet e Kujdesit Social në Shqipëri përbëhen nga tre programe: Ndihma Ekonomike e cila është një program ndihme sociale e kushtëzuar nga niveli i jetesës, që siguron mbështetje në para apo në mallra, për familjet dhe individët në nevojë. Së dyti, pagesat për aftësinë e kufizuar, që sigurojnë pagesa mujore për personat me aftësi të kufizuara të cilët nuk mund të përfitojnë nga skemat kontributive në mënyrë të ligjshme dhe programi i tretë shërbimet e kujdesit social.
“Një fushatë informimi për publikun në nivel kombëtar për programin është përgatitur me mbështetjen nga Banka Botërore për Projektin për Modernizimin e Ndihmës Ekonomike. Informimi është i mundshëm gjithashtu në të gjitha njësitë administrative, duke përfshirë zonat e largëta. Megjithatë familjet që jetojnë në zona të largëta disa herë përballen me vështirësi në aksesimin e zyrës. Disa qytete të mëdha të tilla si Tirana, Elbasani dhe Durrësi kanë integruar shërbime front desk (me një ndalim) për të shtuar aksesueshmërinë. Pavarësisht këtyre komunikimeve dhe përpjekjeve për tu shtrirë, administratorët socialë në diskutimet e grupeve fokale raportojnë që ndërkohë që programi ka qenë në funksion për më shumë se 28 vite, detajet e reformës së fundit janë akoma të panjohura për publikun.”,- vërehet në një analizë të sistemit të mbrojtjes sociale në vendin tonë, të përgatitur nga “Joint SDG Fund”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, United Nations Albania dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës.
“Përveç familjeve që përpiqen të përfshihen në program, Administratorët Socialë në çdo njësi administrative luajnë një rol aktiv në kërkimin e familjeve potenciale për të përfituar dhe mbështetjen e tyre në proçesin e aplikimit. Stafi administrativ konsideron që njerëzit janë në përgjithësi në dijeni të proçesit të aplikimit ose e mësojnë atë gjatë aplikimit. Vështirësitë shtohen në familjet kur kryefamiljari është analfabet apo ku ka barriera gjuhësore.”,- pohohet në analizë.
Ky është rasti i shpeshtë kur përfituesi është nga komunitetet Rom dhe Egjiptian. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror vlerëson dhe vendos mbi kërkesat për pagesa të përfitimeve, duke përdorur një metodë të vlerësimit të mjeteve në përdorim (formulë pikëzimi e unifikuar) që merr në konsideratë indikatorët e varfërisë në nivel familje.
Formula përfshin rezultatet për kushtet e jetesës (tipi i ndërtesës, mobiljet, largësinë nga transporti publik, uji, energjia elektrike), mbrojtja sociale (nëse ndonjë anëtar i familjes ka përfituar 12 muajt e fundit), ose të ardhura të tjera apo kapitale dhe shpenzime. Faktet sugjerojnë që formula e pikëzimit e unifikuar minimizon përfshirjen e gabimeve por çon në një përjashtim të familjeve në nevojë.
Por çfarë duhet të keni parasysh në rastet e përfitimit të ndihmës ekonomike? A jeni ju apo familja juaj një ndër ata që mund të përfitojnë ndihmë ekonomike dhe çfarë rregullash duhet të ndiqni për të përfituar nga kjo e drejtë?
Procesi i aplikimit dhe e drejta për të përfituar
Për të aplikuar për ndihmë ekonomike, një anëtar i rritur i familjes nevojitet të ndërmarrë një intervistë me Administratorin Social në Bashki ose në njësitë administrative, të cilët ndihmojnë gjithashtu që të plotësojnë formularët e aplikimit. Formularët duhet të dorëzohen gjatë 10 ditëve të para të muajit.
Familjet përfituese duhet të rikonfirmojnë statusin e tyre social- ekonomik çdo 3 muaj për vijuar që ta marrin ndihmën. Periudha maksimale për të marë përfitimin është 5 vite. Ky kufizim kohor nuk aplikohet tek përfituesit mbi moshë pune dhe nënat e vetme.
Brenda periudhës 5 vjeçare, përfituesit pritet që të përfshihen në tregun e punës nëpërmjet sistemeve përkatëse të referimit për përfshirjen ekonomike, përshembull nëpërmjet shërbimeve të punësimit, trainimit për aftësi ose programeve të tjera.
Në 2018, 15,000 persona përdorën shërbimet e zyrave të punësimit, 4,266 persona u punësuan dhe 681 persona u rregjistruan në programet e trainimit profesional. Numri i familjeve që merrnin përfitime ishte 53,082 në 2018.
Të gjithë aplikantët për ndihmë ekonomike duhet të rregjistrohen çdo muaj si punëkërkues të papunë. Stafi administrativ raporton që disa përfitues rezistojnë të marrin pjesë në programet e integrimit ekonomik dhe që vetëm pak familje kanë lënë programin, duke pranuar punësimin apo trainimin professional, megjithëse pagesa nga puna mund të jetë disa herë më e lartë se ndihma ekonomike.
“Fakte qesharake tregojnë që kjo mund të jetë për shkak të faktit që familjet nuk duan të humbasin përfitimet e tjera të lidhura me ndihmën ekonomike dhe që në mjaft raste anëtarët e familjeve përfituese (madje edhe fëmijë) punojnë në mënyrë informale për të gjeneruar të ardhura shtesë.”, –vërehet në analizën për Sistemin e Mbrojtjes Sociale.
Ndihma ekonomike nuk paguhet nëse një familje ka një anëtar të papunë, i cili është i aftë për punë, por nuk regjistrohet në një zyrë punësimi si një punëkërkues, nuk pranon oferta të përshtatshme për punë apo nuk regjistrohet në trainime profesionale, apo ka një anëtar të punësuar i cili e ndërpret marëdhënien e punës pa një justifikim të arsyeshëm.
Përveç kësaj, ndihma ekonomike nuk paguhet nëse një familje ka bërë më shumë se një deklarim fallco për statusin e tyre social ekonomik.
Ankimet
Aplikantët mund të depozitojnë një ankesë me shkrim kundër vendimit të Shërbimit Social Shtetëror, së pari në nivel bashkie dhe më vonë në nivel rajonal dhe në fund mund të depozitojnë një procedim në gjykatë.
Nuk gjendet asnjë statistikë zyrtare përsa i përket ankimimeve të regjistruara, kohëzgjatjes së përgjigjeve ose nivelit të suksesit në apelim.
Të dhënat e analizuara nxjerrin në pah se intervistat në grupet e fokusit me stafin administrativ lokal tregojnë që sistemi i apelimit me shkrim nuk ndiqet shpesh nga aplikantët, pasi “ata preferojnë që të takojnë administratorin social, kryetarin e bashkisë apo drejtuesin e departamentit dhe t’i kërkojnë llogari direkt rreth aplikimit të tyre.”
Pas kompletimit të plotë të procesit të aplikimit, dosja e aplikantit duhet të përmbajë të dhënat në vijim: Firmën e aplikantit në fomularin e aplikantit pas intervistës; Dokumenta shtesë të siguruara; Raportet e paraqitura nga administratori social mbi kushtet e jetesës të secilit kryefamiljar aplikues gjatë vizitave në shtëpi; Rezultatet pas përpunimit të të dhënave nëpërmjet formulës së pikëzimit dhe vendimin e zyrës rajonale; Ndryshimet e dokumentuara të kushteve të jetesës të familjes, sikurse edhe statusin social/shëndetësor të anëtarëve të familjes. Një sistem me të dhëna është ndërtuar brenda Rregjistrit Elektronik Kombëtar, ndërkohë që Shërbimi Shtetëror Social është përgjegjës për mirëmbajtjen e të dhënave dhe regjistrave. Blerina Goce