Ekipet e shpëtimit kanë gjetur sot një djalë të ri, i cili i mbijetoi, ndonëse ishte zënë nën rrënoja, tri ditë më parë, kur një rrëshqitje e tokës kishte “varrosur” 33 ndërtesa në parkun industrial në Shenzhen të Kinës jugore.
Tjan Ceming (19), ka shpëtuar, përkundër faktit se kishte qëndruar rreth 70 orë nën gërmadhat e një ndërtese të rrënuar. I riu ishte jashtëzakonisht i lodhur dhe me një këmbë shumë të dëmtuar, e cila pastaj i ishte operuar, njoftuan agjencitë e lajmeve, transmeton Telegrafi.
Ekipeve të shpëtimit u është dashur dy orë për ta nxjerrë atë nga nën rrënojat. I riu kishte “bërë zhurmë” me gurë për të tërhequr vëmendjen e shpëtimtarëve.
Një tjetër burrë u gjet gjithashtu i gjallë, por ai vdiq disa orë më vonë. Zyrtarisht, thuhet se 76 njerëz janë të humbur.
Në një deklaratë në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës thuhet se policia dhe zjarrfikësit po përdorin të gjitha mundësitë në kërkim për të mbijetuarve. /Telegrafi/