Kur mendohej se fushata e transferimeve në futbollin europian nuk do të arrinte maja të rëndësishme, për shkak të vështirësive ekonomike ndaj COVID-19, gjithçka duket e mundur. Pas lajmit për transferimin e mundshëm të Lukakut nga Interi tek Chelsea, lajmi i fundit sjell një mundësi edhe më të jashtëzakonshme.
Sipas mediave spanjolle, Leo Messi dhe Barcelona janë më larg se kurrë në rinovimin e kontratës. Firma mes argjentinasit magjik dhe presidentit katalanas Laporta dukej çështje detajesh, por sipas burimeve të cilësuara si të sigurta, numri 10 ka dyshime të forta mbi ambiciet e ekipit të tij në të ardhmen, dhe po mendon seriozisht largimin.
Të njëjtat burime, të mbështetura edhe nga media si Marca dhe As, shkojnë deri tek bindja se Messi nuk do të firmosë me siguri, duke tentuar një aventurë të re, në klube me financa të pashtershme si PSG ose Manchester City.
Një vendim që do të shokonte një gjeneratë të tërë blaugranash, që janë rritur me praninë e “Pleshtit”, por edhe për presidentin Laporta që mbi rinovimin e fenomenit kishte bazuar të gjithë fushatën e tij zgjedhore.
/b.h