Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar investimet në spitalin e Sarandës. Manastriliu ka bërë me dije se brenda muajit shtator do të përfundojë pediatria dhe laboratori i ri me teknika bashkëkohore. Ndërsa theksoi se deri më tani në spital është investuar tek materniteti dhe shërbimi i kirurgjisë.
“Në Shtator vihet në funksion pavioni i pediatrisë së re në spitalin e Sarandës, që përkon me linjën e të gjithë investimeve që ne jemi duke bërë për të përmirësuar shërbimet për fëmijët. Spitalit të Sarandës do të vijojnë t’i shtohen shërbime të reja, ashtu sikurse në spitalet universitare dhe rajonale janë vendosur në funksion laboratorë të cilët tashmë ofrojnë një gamë shërbimesh shumë të gjerë, rreth 164 analiza ofrohen në këto spitale. Edhe spitali i Sarandës është pjesë e rrjetit të laboratorëve që përfshihen në këtë investim. Prej muajit shtator do të kemi një laborator të ri në këtë spiatal, të pajisur me aparatura bashkëkohore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se spitali i Sarandës është fuqizuar edhe me potenciale të burimeve njerëzore.
“Një nga pikat e tjera është edhe forcimi i spitaleve tona me potencialet njerëzore dhe jam e kënaqur që mjekë të rinj i janë bashkuar spitaleve tona. Në spitalin e Sarandës ne kemi mjekë të rinj, mjek pediatër, mjek kirurg, mjek gjinekolog-obstetër që i janë bashkuar ekipit fantastik të mjekëve të spitalit të Sarandës”, tha Manastirliu.