Nga Prof. Asc. Dr. Ardian Isufi
Padyshim duke lexuar titullin e këtij shkrimi do të mendoni se jemi kthyer kohë mbrapa dhe gjithashtu jemi të lodhur si shoqëri duke e pasur kokën mbrapa, në të shkuarën e afërt të diktaturës që nga agonia jonë(e njeriut “Zoon politikon” si qënie politike sipas Aristotelit)është vështirë të shkëputemi prej hijeve të saj.
Megjithatë, më duhet të kthehem mbrapa për të kuptuar se në bashkohësinë tonë ka shumë tipare të importuara nga koha e qoftëlargut(diktaturës) në shprehi dhe tipologji për të goditur individë apo alternativa të reja në forma meskine, por gjithsesi efikase për të dobësuar argumentin e fortë dhe për ta zhbërë si një situatë banale individuale sipas parimit të regjimit enverian, se “Thash e themet kanë karakter politik dhe ideollogjik sepse fusin grindje dhe përçarje në masat”
“Këndi i Fletë rrufeve” mblidhte në atë kohë shumë prej këtyre thashethemeve me emër apo pa emër autori që i shkruante nën drejtimin e dirigjentit politik “lloj lloj dhe soj soj” palaçollëqesh për të denigruar dhe deformuar qëllimet e drejta të shumë individëve me qëndrime të ndryshme politike, më së pari vetëm për faktin që mendonin ndryshe politikisht.
Sipas “Terminologut Komunist” të IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë: “Fletë rrufeja” është përkthim i fjalës kineze “Dacibao” me të njëjtin kuptim që filloi përdorimin në 1967 pas sugjerimit të diktatorit Enver Hoxha gjatë një fjalimi. Ishte një letër e madhe me shkronja thuajse gjithnjë të kuqe që në krye kishte të shkruar titullin “Fletë rrufe”, e pas tij emrin e personit ose grupit që i drejtohej. Kjo fletë kishte si synim denigrimin publik të personave që mendonin ose kryenin sjellje në kundërshtim me normat morale të partisë komuniste. Fletërrufeja mund t’i atribuohej kundërshtimeve ideologjike, politike, ekonomike… Personat e akuzuar/kritikuar me fletë rrufe duhet ti përgjigjeshin duke pranuar si të drejtë kritikën e bërë dhe duke marrë përsipër fajin.
Por, sot në post-diktaturë kemi “fletë rrufetë digjitale” që shpërndahen nga qendra të caktuara si viruse në rrjete sociale dhe kanale të sponsorizuara mediatike për dobësuar imunitetin e gjykimit dhe për të deformuar “perceptimin” e shoqërisë duke goditur me copëza sharjesh dhe të pavërtetash derisa kjo situate virale të fitojë mbi imunitetin e një shoqërie të uritur për alternativa të reja që janë kundër sistemit aktual politik të ndërtuar nga ustallarët e politikës tonë, në grehinën e korrupsionit, oligarkisë dhe pengmarrjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri(këtu në fund nuk flas vetëm për vjedhjen-blerjen e votës por edhe për sistemin e deformuar të kodit zgjedhor që ka në thelb kontrollin e procesit zgjedhor nga partitë kryesore nëpërmjet administrimit e komisioneve zgjedhore, etj.)
Në këtë kuadër edhe unë jam i përfoluri i radhës apo thënë më qartë “i shituri i radhës” me një mori të pavërtetash që stisen sitë vërteta të pamohueshme që paskam qenë si shumë të tjerë i blerë nga e majta në pushtet apo nga partia-shtet. Kuptohet se e djathta politike nga paaftësia për të mos kuptuar sfidat e mëdha që ka përpara, tenton të minimizojë qëndrimet e mia duke më radhitur në grupazhet anti-Basha dhe duke na sjellë në kujtesë atë atmosferë mediokre dhe malinje që shpjegova më sipër për fletërrufetë që janë gjëja më e padobishme me hallet dhe problemet reale që kalon shoqëria jonë. Megjithatë këto kanale me tipologji të vjetër informimi dhe propagande nuk kanë kuptuar akoma se në komunikimin bashkëkohor, pra në Post-Modernizëm “Anti-reklama është reklamë”, ndërsa në Post-Diktaturë “Sharja është reklamë”.
Në qëndrimet e mia kam theksuar faktin se Partia Demokratike ka nevojë urgjente për tu reformuar biles ri-themeluar, politika reale e saj duhet të ecë duke u bazuar fort tek politika ideologjike, si dhe parë me sytë e publikut një nga humbjet më të mëdha që sot ka PD është se po e njehsojnë me PS në ushtrimin e cunguar të demokracisë së brendshme, ku Partikracia është zëvendësuar nga Kryetarokacia ”, duke minimizuar lirinë e shprehjes, sipas Hannah Arendt “Arsyeja e ekzistencës së politikës është liria dhe fusha e akumulimit të saj është veprimi.” Gjithashtu, ri-theksoj se: ti biesh fort “sistemit” tonë të kalbur duhet jo vetëm të reformohesh, jo vetëm të distancohesh në emër të drejtësisë por edhe duhet bërë një ndarje radikale nga fenomenet oligarkike që u konsoliduan nga pushteti i majtë dhe që kanë deformuar marrëdhënien e shtetit me shoqërinë, dhe si pasojë korrupsioni bëhet kryefjalë e deformimit të sistemit politik.(Gazeta SOT-27 korrik 2021)
Këto janë çështjet e vërteta të së djathtës për zgjidhje dhe jo fletë-rrufetë banale hedhur lart e poshtë që paradoksalisht forcojnë vetëm pozitat e saj për një “opozitë të gjatë” me alternativa sporadike përballë një pushteti autokratik të Ramës dhe me aksion politik të mefshtë për të pasur besim në popull.