Kreu i Partisë Demokratike e ka cilësuar dështim të shtetit përballjen me situatën emergjente të zjarreve. Me anë të një reagimi të fundit, Basha shprehet se kryeministri Edi Rama përdor helikopterin e ushtrisë për udhëtime në një kohë që duhet për shuarjen e flakëve.
“Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij. Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi. Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët”, shprehet Basha.
g.kosovari