Nga Ben Andoni
O Serbia po luan me të dy shtetet shqiptare, o ne të gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit dhe serbët bashkë nuk po orientohemi dot nga tollovia e dokumenteve që nënshkruajnë burokratët tanë?! Në preambulën e dokumentit të madh të nënshkruar gati një vit më parë në Washington nga Trump-Hoti-Vuçiç thuhet se: “Kosova dhe Serbia pajtohen të lëvizin përpara me normalizimin ekonomik duke u pajtuar në pikat e mëposhtme:
Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen për autostradën Prishtinë – Beograd të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen e hekurudhave Prishtinë – Beograd të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
Kosova dhe Serbia do të punojnë me SHBA-të me Koorporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar dhe EXIM në memorandume të mirëkuptimit për të operacionalizohen në: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit, Sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Projekte bilaterale, Një prani ndërkombëtare, e Koorporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi.
Të dy palët do të hapin dhe do të operalizojnë Pikën e Përbashkët Kufitare në Merdare.
Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.
Të dy palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale…”(Vazhdon dokumenti)
Është e vërtetë se dokumenti mbush vitin dhe pret një riazhornim nga zyrtarët e tre vendeve, por ajo që të bën të shikosh te vetja me dyshim është tollovia e interpretimit tonë. Ky dokument është shumë më tepër se idetë e hedhura dhe memorandumet e nënshkruara disa orë më parë nga Vuçiç-Rama dhe Zaev në Shkup.
Është po ashtu e vërtetë se qeveria Kurti ka nxjerrë rezerva po e themi me eufemizëm për këtë dokument, që gjithsesi është materializuar me njohjen e Izraelit, por angazhimi i qeveritarëve kosovarë dhe serbë ka qenë prezent dhe është nënshkruar për Minishengenin. Madje, me këtë emër.
Ndaj, në morinë e tollovive për dhe me Serbinë dhe problematikave të saj, që në fakt, nuk na kanë munguar duhet t’ia kursejmë shqiptarëve këtë ngatërresë. Tek e fundit, zyrtarët tanë duhet të respektojnë dokumentet që paraqesin iniciativa mbarështetërore dhe jo thjesht politike në një mandat qeverisës. Prandaj, si marrja nëpër gojë indirekt e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit është e tepruar, ashtu edhe reagimi patetik i zyrtarëve të sotëm të Prishtinës është anakronik. Ju në marrëveshjen e një viti më parë jeni dhe angazhoheni për Minishengenin me projekte konkrete shumë më tepër sesa po mundohen të bëjnë tani Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria sëbashku. Është kaq fare e thjeshtë. (Javanews)