Kryeministri Edi Rama ndodhet në Maqedoninë e Veriut në kuadër të Forumit Ekonomik. Pasditen e sotme, Rama së bashku me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kanë bërë një shëtitje në rrugët e Shkupit drejt qendrës së qytetit.
Gjatë kësaj ecjeje ku ndodhet edhe Petre Shilegov, Kryetar i Bashkisë së Shkupit, ata janë ndalur disa herë nga qytetarët, të cilët i kanë takuar dhe kanë kërkuar madje të bëjnë dhe foto. Nuk kanë munguar dhe përshëndetjet nga lokalet.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, vizita e Kryeministrit Rama në Shkup është në kuadër të Forumit Ekonomik me sesionin “Ballkani i Bashkuar”, që me sa duket do të jetë dhe emri i ri i asaj që njihet deri tani si “Minishengeni”, ose “Shengeni Ballkanik”.
Shengeni Ballkanik ndryshon emër për të bindur Kosovën, Rama: S’besoj se do ndryshojë gjë
Shengeni ballkanik do të ndryshojë emër. Nisma e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mësojë emrin e ri gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Shkupit, që mbahet ditën e enjte.
“Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nismë.
Vetë Rama duke pesimist nëse ndryshimi i emrit do të sjellë ndonjë ndryshim në qasjen e këtyre tre vendeve karshi kësaj nisme.
“Unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin. Nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, tha Rama për Top Channel.
Rama nuk komentoi deklaratat e Albin Kurtit, që përmes zyrës së shtypit të Qeverisë njoftoi se nuk ka ndryshuar mendim se kjo nismë është ide e Serbisë që nuk ka miratimin e Kosovës. Gjithsesi, Rama thotë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të “udhëheqin me forcën e shembullit”.
Kryeministri tha se janë disa vendime e marrëveshje për t’u nënshkruar, pa dhënë më shumë detaje për to. Por, sipas Financial Times marrëveshjet kanë të bëjnë me një lehtësim gradual të qarkullimit të mallrave, njerëzve dhe punëtorëve në kufijtë e tre vendeve, duke hequr disa kufizime dhe reduktuar burokracitë.
Në Forumin Ekonomik të Shkupit do të marrin pjesë mbi 300 komani nga të tre vendet, por edhe shtete të tjera te rajonit që nuk janë pjesëmarrëse të nismës. /m.j