Një artikull i botuar në gazetën britanike “The Guardian” se një nga
ikonat e Trashëgimisë Britanike “Stonehenge” mund të humbasë
statusin e trashëgimisë botërore, rikthen edhe njëherë në vëmendje
Planin e Integruar të Menaxhimit të Butrintit në Shqipëri.
Kjo pasi “Stonehenge” u përmend në vitin 2019 edhe në vendin tonë,
kur ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se Plani i Menaxhimit
të Butrintit ishte bërë sipas modelit të “Stonehenge” në Britaninë e
Madhe.
Në një kohë që rrethi i njohur me gurë në Wiltshire mund të humbasë
statusin e pasurisë botërore të UNESCO-s, studiuesi dhe ish-drejtori i
Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare ka ngritur shqetësimin se
çfarë do të ndodhë me qytetin e lashtë të Butrintit.
“Ministrja Margariti dhe drejtori i fondit shqiptaro-amerikan, Michael
Granof deklaruan se Plani i Menaxhimit të Butrintit ishte bërë sipas
modelit të ‘Stonehenge’ në Britaninë e Madhe. Zonja Margariti me
kënaqësi e reklamoi Modelin e ‘Stonhenge’ si modelin e duhur për
Butrintin megjithëse jam i sigurt që nuk e ka parë ndonjë herë këtë
qendër dhe nuk ka pasur mundësi ta studiojë problematiken e kësaj
qendre që i është shitur nga hartuesit e Planit si një histori suksesi”,
thotë ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare.
I pyetur nga Gazetasi, studiuesi Tare duke bërë dhe një paralelizëm
mes planeve të menaxhimit, thotë se ato nuk mund të merren
shabllon.
“Plani i Menaxhimit nuk mund të merret shabllon pa u konsultuar me
specialistët vendës dhe pa parë problematikën vendëse. Nëse
Margariti na tha që ky qenka më i mirë, bazuar ku është më i mirë?”,
thotë ai.
Lidhur me Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit, kritik është
edhe arkeologu Neritan Ceka.
“Bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore shqiptare, por nuk merren
parasysh ekspertët shqiptarë. Po humbet tradita, duhej të pyetej
brezi i tanishëm i arkeologëve”, thotë arkeologu Ceka ndërsa nuk bën
një paralelizëm me modelin “Stonehenge”.
Ndër të tjera, studiuesi Tare thotë se menaxhimi i parkut të Butrintit
nga një fond i huaj është i gabuar.
Ai shton se Butrinti duhet të jetë modeli, ku Shqipëria të tregojë
suksesin në ruajtjen dhe menaxhimin e kësaj trashëgimie.
“Me kënaqësi do të shtoja se ky mendim imi publik u mbështet nga
vizita private e disa personaliteteve të larta amerikane dhe britanike
javën e shkuar në Butrint, ku ideja se Butrinti duhet të ishte patjetër
“modeli Shqiptar” ne hapësirën europiane të Trashëgimisë Kulturore
dhe Historike ishte modeli i duhur”, vijon më tej studiuesi Tare.
Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të
Butrintit
Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë
publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019. Dokumenti i hartuar nga
Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë
e Kulturës i njohur si “Plani i menaxhimit të integruar për Parkun
Kombëtar të Butrintit”, është miratuar nga Këshilli i Ministrave në
korrik të vitit 2020.
“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”,
parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë
kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një
fondacion i ri.
Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u
nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë
së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një
financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.
Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore
dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive
kulturore shqiptare në pronësi publike.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të
menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si
dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e
Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më
1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të
UNESCO-s.