Nga Adriatik Doçi
Procesi historik i Vetingut është një nga sukseset më të mëdha dhe të
padiskutueshme të reformës në drejtësi. 220 gjyqtarë dhe prokurorë
me pasuri të paligjshme dhe të fshehura, të lidhur me krimin, të
përfshirë në pastrim parash dhe mbyllje të dosjeve të krimit dhe
korrupsionit, janë shkarkuar nga detyra ose ia kanë mbathur nga
sistemi për shkak të frikës së Vetingut. Mbi 90 % e kupolës së
drejtësisë, ku përfshihen ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë,
Kushtetueses, ish-kryeprokurori, ish anëtarët e KLD-së famëkeqe, si
dhe krerët e gjykatave dhe prokurorive janë shkarkuar ose ia kanë
mbathur nga frika e Vetingut.
Për të kamufluar pasuritë e krijuara me para të pista, një pjesë e të
shkarkuarve deklaronin si të ardhura para të fituara në bixhoz, shuma
dhuratë nga prindërit, tezet, kushërinjtë, kontrata fiktive, transaksione
të dyshimta etj. 130 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar procesin e
Vetingut, ndërsa nuk janë verifikuar ende më shumë se gjysma e
gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimet e organeve të Vetingut për
shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar janë
konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane për të
drejtat e njeriut. Ligji i Vetingut është konfirmuar gjithashtu nga
Komisioni i Venecias dhe nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila u
boshatis më tej pikërisht nga Vetingu.
Ndërkaq, procesi i miratimit, hartimit dhe zbatimit të ligjit të Vetingut
nuk ka qenë i lehtë. Që kur nisi të materializohej në letër ideja e
Vetingut në drejtësi, në Shqipëri nisi edhe rezistenca kundër tij. Fronti
kundër Vetingut është krijuar dhe udhëhiqet nga Parti Demokratike, e
mbështetur nga gjyqtarë të korruptuar, segmente të prokurorisë dhe
Lëvizja Socialiste për Integrim, me në krye Ilir Metën. Sot sjellim në
vëmendje një sërë faktesh rreth luftës së paprecedentë, të gjatë dhe
të egër të Partisë Demokratike kundër Vetingut, i cili sot konsiderohet
nga SHBA-BE si një model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera.
Pas miratimit të ndryshmeve kushtetueses në 22 korrik 2016,
komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, i kryesuar nga Fatmir
Xhafaj, nisi shqyrtimin e projektligjit të Vetingut. Partia Demokratike
kishte braktisur procesin e hartimit të draftit, ndërsa ishte rikthyer në
Komision për shqyrtimin e tij, për ta kaluar më pas për miratim në
Kuvend. Përfaqësuesi i PD-së në komision, Oerd Bylykbashi, në
mbledhjen e datës 17 gusht 2016, kundërshton projektligjin e
Vetingut, duke ngritur shqetësimin se procesi cenonte të drejtat e
njeriu si dhe do të ishte i kapur.
Ndër të tjera, Bylykbashi shprehet se: “Projektligji nuk ka detaje dhe
procedura të cilat rregullojnë strukturat e përfshira në proces. Nuk ka
afate të qarta në lidhje me procesin. Nëse ky ligj me të gjitha këto mangësi
rrotull tij nuk i ka këto, ne mund të përballemi me probleme të rënda që
na nxjerrin nga shinat këtë proces që duam ne bashkë të mbyllim këtu. E
para. E dyta, nuk ka garanci të qarta për organet e Vetingu dhe anëtarët e
tyre përfshirë personelin, të cilat do ta bënin këtë proces të pavarur dhe të
pakapur. E treta, nuk mund të jetë rastësor procesi… Sa më selektiv dhe i
rastësishëm aq më pak besim dhe aq më pak transparent është ky proces,
dhe për rrjedhojë përsëri na bie themeli i procesit. Ne nuk e duam këtë. E
katërta, duhet patjetër që projektligji, duke qenë se Komisioni i Venecias e
thotë se ky është një rast i jashtëzakonshëm, duke qenë se thotë se nuk
duhet të jetë një proces selektiv politik, por duhet të jetë një proces i
përgjithshëm, duhet të vendosim rregullat për një proces të drejtë ligjor që
mungojnë në analizën tonë. Përndryshe do të përballemi me problemet
që i ka thënë Komisioni i Venecias, mund të na dalin më pas në Gjykatën
Kushtetuese apo dhe më larg se sa aq, në Gjykatën e Strasburgut. Asnjë
nga ne nuk e do këtë. Dhe e fundit, ligji ka një seri të madhe
problematikash teknike, qoftë të teknikës legjislative, qoftë të
problematikave të tjera të cilat duhen patjetër për një ligj kaq të
rëndësishëm, të jenë atje”.
Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i PD-së, Gent Strazimiri, ndër të tjera
shprehet se: “Nuk na pritët, ecët 1 vit e gjysmë për sa kohë kishit votat.
Pastaj u kujtuat në darkë se nuk kishit votat. Të kishit pasur votat, nuk do
të ishit këtu. E para, dhe këtë e dimë. Procesverbalet janë dhe gjërat kanë
ndodhur në sytë e mediave. Jemi në këtë fazë, ku do ta shohim ligjërisht
gjënë. Unë nga natyra jam njeri dyshues edhe ndaj bindjes sime kur vjen
puna për gjërat teknike dhe kaq komplekse. Për sa kohë, veçanërisht tani
që e shoh thjesht të dyshuar dhe të palexuar gjënë, materiali për të cilin
jemi të thirrur të japim një mendim është një material tejet kompleks, ai
duhet lexuar edhe me laps në dorë”.
Në mbledhjen e datës 23 gusht 2016, përfaqësuesit e PD-së
Bylykbashi dhe Gazmend Bardhi erdhën me një paktë propozimesh
për të ndryshuar ligjin, por shumica e ndryshimeve që synonin
deformimin e procesit, u kundërshtuan nga shef i misionit të
EURALIUS-it Rainer Deville dhe përfaqësuesi i OPDAT-it Jon Smibert.
“Nuk duhet ndryshuar sistemi i parashikuar aktualisht në Kushtetutë, pasi
kjo do të përbënte një tejkalim të vijës së kuqe”, pohonte Deville, duke u
dhënë një mesazh të fortë përfaqësuesve të PD-së.
Megjithatë, në këtë mbledhje, Bylykbashi paralajmëroi goditjen e ligjit
të Vetingut pas miratimit.
“Ne mendojmë që jo vetëm opinioni ynë nuk është reflektuar fare,
por ne gjithashtu konsiderojmë se mosreflektimi i opinionit të
opozitës vë qartazi në pah jo vetëm cilësinë e dobët shpeshherë të
projektligjit, por edhe probleme qoftë edhe të karakterit parimor, që
mund të çojnë nesër në goditjen e ligjit më lart…. Nuk e deshët
konsensusin për asnjë sekondë, e çuat punën edhe në nivelin e
ekspertizës, që të funksiononte në këtë formë, që është një goditje e
drejtpërdrejtë jo vetëm për konsensusin, por edhe për efikasitetin
dhe zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi…. Për rrjedhojë duhet
të mbani ju përgjegjësinë për të gjithë barrën e dështimit dhe
abuzimin me procesin e Vetingut, i cili nesër në vend që të na pastrojë
gjyqësorin, thjesht do të na krijojë probleme më tepër, ndërkohë të
përzgjedhur në mënyrë selektive, personale apo politike, gjyqtarë dhe
prokurorë të korruptuar të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, sepse i
shërbejnë partisë”, tha ai.
Në 30 gusht 2016, Kuvendi u mblodh në një seancë të
jashtëzakonshme për miratimin e ligjit të Vetingut. Në këtë seancë,
Sali Berisha, duke u pozicionuar hapur kundër ligjit të Vetingut tha se
“Për gjah shtrigash e bëni vetting-un? Nuk do ta bëni dot kurrë atë. Do
thyeni qafën, do bllokoni reformën, por këtë nuk keni për ta bërë
kurrë, jo një t’ju thotë, por edhe njëqind t’ju thonë. Nuk e bëni dhe
nuk jua pranon kush kurrë këtë. E provuat dy vjet rresht, zotërinj, se si
u thyet nen pas neni, sepse pikërisht donit të bënit këto që s’i bëtë
dot me Kushtetutë dhe ktheheni që t’i bëni tani, të organizojnë gjahun
e shtrigave. Jo me gjah shtrigash. Në demokraci nuk ka gjah shtrigash,
në demokraci ka dinjitet njerëzor. Nuk të lejon ai të bësh gjahun e
shtrigave, por të lejon të bësh vlerësime objektive, të lejon të
qëndrosh mbi bazën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,
të lejon të rrisësh performancë….mendoj që kjo seancë t’i kushtohet
kanabisit, të merret me kanabisin”.
Në këtë seancë, Eduard Halimi, i cili kishte qenë më parë ministër
Drejtësie në qeverinë Berisha, paralajmëroi betejën për rrëzimin e
ligjit.
“Ligji i sotëm vjen këtu pa konsensusin e opozitës dhe arsyeja e vetme
është se ligji është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Për ta
thënë shkurt dhe shqip për shqiptarët: procesin e vetting-ut nuk do ta
kryejë ky komision, për të cilin ne u grindëm natën e datës 22 korrik,
por, sipas projektligjit që vjen sot, atë do ta bëjnë organet dhe
institucionet ekzistuese, të cilat janë nën varësinë e Kryeministrit. …
Opozita do të ndjekë çdo rrugë në mbrojtje të Kushtetutës së 22
korrikut për një reforme në drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj
Kushtetute dhe bazuar në standardet më të mira euroatlantike. Ju
faleminderit! Ne po largohemi”, u shpreh ai.
Dhe ashtu ndodhi. Partia Demokratike kërkoi rrëzimin e ligjit në
Gjykatën Kushtetuese, me shpresë së do të shpëtonte nga shkarkimi
armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i kishte emëruar vetë,
për mbylljen e dosjeve të Gërdecit, 21 Janarit, shitjes së detit, mbylljen
e dosjeve të Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut, trafikut të armëve,
privatizimeve, përvetësimit të pronave publike, çështjes ‘Fazlliç’ etj. Në
këmbim të mbrojtje së krimit dhe korrupsionit politik, gjyqtarët dhe
prokurorët ‘ushtarë’ mund të abuzonin dhe të pasuroheshin në
sistem, nën ombrellën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili
komandohej nga Berisha.
Dalin në skenë gjyqtarët
Në 24 tetor 2016, dolën në skenë gjyqtarët e trembur nga Vetingu, të
mbledhur në Shoqatën e Gjyqtarëve. Ata bënë një kërkesë në
Gjykatën Kushtetuese, për t’ju bashkuar betejës së Partisë
Demokratike për rrëzimin e ligjit të Vetingut. Ndërkohë edhe
prokurorët nisën të mblidhnin firmat për t’u paraqitur si palë e
interesuar në gjykimin. Megjithatë, prokurorët u tërhoqën më pas në
heshtje. Tashmë në ballë të betejës kundër ligjit të Vetingut ishin
Partia Demokratike dhe gjyqtarët, të cilët ishin bashkuar në një front.
Në fund të muajit tetor 2016, Gjykata Kushtetuese, e cila ishe subjekt i
ligjit të Vetingut, vendosi që të pezullonte zbatimin e ligjit të Vetingut,
duke iu drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.
“Ky ligj për momentin nuk mund të zbatohet deri në një vendim
përfundimtar. Nëse ky ligj do të zbatohej do të kishte pasoja të medha
Basha kërkon pazar
Ndërkohë që kishte disa sinjale që Komisioni i Venecias do të
konfirmonte ligjin e Vetingut, kryetari i PD-së Lulzim Basha, kërkoi
pazar për ndryshimin e ligjit, ende pa u shprehur Venecia. Kërkesa e
Bashës mori këtë përgjigje nga Fatmir Xhafaj: “Kjo ishte gjëja më
absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare, pra
që partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë edhe Gjykatën Kushtetuese.
Pra partitë politike të konsiderojnë më të rëndësishme një
marrëveshje apo një pazar ndërmjet tyre, – sepse kështu duhet
konsideruar kjo gjë, – sesa rëndësinë e veprimit kushtetues”.
Komisioni i Venecias rrëzon PD-në dhe gjyqtarët
Në 7 dhjetor 2016, Komisioni Venecias rrëzoi Partinë Demokratike
dhe Unionin e Gjyqtarëve duke konfirmuar në çdo germë ligjin për
Vetingun, si në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe normat
ndërkombëtare. Venecia konfirmoi jo vetëm ligjshmërinë e
përmbajtjes dhe parashikimeve të ligjit të Vetingut, por edhe
procedurat e ndjekura për hartimin dhe miratimin e ligjit.
PD kundër Komisionin e Venecias
Partia Demokratike refuzoi të njohë opinionin e Komisionit të
Venecias. PD-ja bëri një deklaratë ku shprehje se Venecia nuk merrte
përsipër të analizonte përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe
legjislacionin e brendshëm. Në deklaratë thuhet se “…Ne nxisim
Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër
shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Vetingut, sipas të gjithë
çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i
Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të
analizojë përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e
brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila
duhet të garantojë që ligji i Vetingut të jetë në përputhje me
Kushtetutën…”. Me këtë qëndrim, PD-ja i dha një mesazh të qartë
Kushtetueses se duhet të rrëzonte ligjin e Vetingut, me pretendimin
se ndërhynte në jetën private, ishte politik, ishte i kapur, cenonte të
drejtat themelore etj.
SHBA-BE thirrje PD-së: Prano ‘Venecian’
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kërkuan
Partisë Demokratike që të pranonte opinionin e Komisionit të
Venecias për ligjin e Vetingut. “Politikanët shqiptarë duhet të dëgjojnë
Komisionin e Venecias. Reforma në drejtësi është shumë e
rëndësishme për shqiptarët dhe integrimin në Bashkimin Europian”.
Megjithatë, Partia Demokratike nisi një tjetër betejë paralele në
Tiranë, me Zyrën e BE dhe Ambasadën Amerikane, teksa akuzoi
misionin EURALIUS për përkthimin në mënyrë të gabuar të ligjit të
Vetingut. Pretendimet u dënuan si mashtrime nga Bashkimi Evropian
dhe Ambasada e SHBA.
Kushtetuesja e konfirmoi ‘Vetingun’
Në 18 janar 2017, Gjykata Kushtetuese, në bazë të opinionit të
Venecias, konfirmoi në përputhje me Kushtetutën e re ligjin e
Vetingut. PD-ja përfaqësohej nga Oerd Bylykbashi, Gazmend Bardhi
dhe Ivi Kaso. Unioni i Gjyqtarëve përfaqësohej nga Gerd Hoxha.
Ndërkaq, Kuvendi, i cili kukonte konfirmimin e ligjit, përfaqësohej nga
Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Alma Vokopola. Bashkim Dedja,
Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos
Lulo konfirmuar si në përputhje me Kushtetutën ligjin e Vetingut,
duke rrëzuar PD-në dhe gjyqtarët. Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari
votuan për rrëzimin e ligjit të Vetingut. Nga të gjithë anëtarët e
Kushtetueses, vetëm Vitore Tusha arriti të kalonte Vetingun. Ligji nuk
pësoi asnjë ndryshim, por zbatimi i tij u vonua mbi 9 muaj për shkak
të luftës së PD dhe gjyqtarëve për ta rrëzuar.(Shqiptarja.com)