I gjithë globi duket se po shkon drejt një vale të re të përhapjes së koronavirusit. Në Europë, Spanja dhe Italia janë dy vendet që në këtë 24 orësh shënuan rritjen më të madhe të infektimeve, ku një pjesë e madhe e tyre i atribuohet variantit “Delta”.
Nga rreth 3 mijë raste që raportonte më 28 Qershor, këtë 24 orësh Spanja raportoi mbi 31 mijë raste. Vetëm 800 raste raportoi Italia më 1 Korrik të këtij viti, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit infektimet kaluan shifrën 5 mijë.
Franca gjithashtu po përjeton një valë të re të infektimeve, pasi të premten raportoi për afro 20 mijë raste të reja. Situatë pak më e qetë paraqitet në Britani, e cila pas një rritje të ndjeshme të infektimeve javën e shkuar, ditët e fundit ka shënuar një rënie të lehtë rasteve të reja.
Rusia është një tjetër shtet që po përballet me një situatë të vështirë pandemike, pasi raportoi për rreth 24 mijë infektime dhe 800 humbje jete.
Në Amerikën Latine Brazili vijon të mbajë vendin e parë si sa i përket infektimeve ashtu edhe vdekjeve. Autoritetet shëndetësore atje raportuan për afro 46 mijë infektime dhe mbi 1200 humbje jete.
Gjithashtu në këtë kontinent Argjentina dhe Kolumbia janë dy vendet e tjera që po përballen me rritje të infektimeve dhe fataliteteve.
g.kosovari