Veterani rus i Luftës së Dytë Botërore, 102-vjeçari Nikolai Bagayev ndihet sikur e ka mashtruar dy herë vdekjen. Herën e dytë, armiku nuk ishin trupat gjermane që pushtuan Bashkimin Sovjetik, por virusi COVID-19.
Në momentin që Bagayev u shtrua në spital, mushkëritë e tij ishin dëmtuar në masën 80%.
Bagayev qëndroi për më shumë se një muaj i shtruar në spitalin e qytetit Korolyov afër Moskës dhe doli të enjten në mbrëmje.
“Hera e fundit që u përballa me vdekjen ishte në vitin 1941, gjatë betejës së Moskës. Mora një plagë në mushkërinë time të djathtë. Por, në atë kohë isha mjaft i ri dhe u shërova menjëherë,” tha ai për Reuters.
“Këtë herë u mbështeta kryesisht te mjekët dhe kishte disa raste që për pak do të humbisja shpresën dhe guximin. U jam jashtëzakonisht mirënjohës mjekëve”, u shpreh 102-vjeçari.
Bagayev bën pjesë te një grup veteranësh të cilët respektohen në Rusi për rolin e tyre në mposhtjen e Gjermanisë naziste. Në maj, ai mori pjesë në paradën vjetore të kësaj fitoreje në Sheshin “Parade”, së bashku me Presidentin Vladimir Putin.
“Ishte e vështirë, por mund të shihja se si mjekët po luftonin për të më shëruar dhe i ndihmova ata,” tha Bagayev kur doli nga spitali, i veshur me uniformë ushtarake të zbukuruar me medalje.
“Heronjtë janë ata” tha Bagayev për mjekët, të cilit vitin e kaluar iu dha grada “kolonel në rezervë”.
Bagayev jetoi shumë nga kapitujt e trazuar të Bashkimit Sovjetik tashmë të shkatërruar dhe u plagos dy herë gjatë luftës, njëra prej të cilave ishte plagosje mjaft e rëndë.
“Ai është një ushtar i vërtetë, i mbante mend plagët e tij të luftës dhe vështirësitë në Betejën e Moskës dhe këto kujtime e ndihmuan gjatë kohës që ishte në spital,” tha mjekja e Bagayev, Valentina Rakitskaya.
Pas luftës, Bagayev punoi në republikën sovjetike të Kazakistanit, ku ndihmoi në ndërtimin e kozmodromit “Baikonur”, kozmodrom i cili në vitin 1961 dërgoi njeriun e parë në hapësirë, Yuri Gagarinin.
Bagayev tha se një teknikë e frymëmarrjes që kishte mësuar nga kozmonautët sovjetikë, e ndihmoi atë që të rimëkëmbet nga COVID-19.
Si një anëtar i përkushtuar i partisë Komuniste të opozitës ruse, ai planifikon t’i ndihmojë ata të bëjnë fushatë përpara zgjedhjeve parlamentare në shtator, por Bagayev theksoi se qëllimi i parësor është që të mund të ecë sërish, pa ndihmën e të tjerëve.
/m.j