Kancelarja gjermane Angela Merkel i doli mbrojti të enjten një marrëveshjeje së arritur me Uashingtonin për të lejuar përfundimin pa sanksione amerikane të gazjellësit “Nord Stream 2”, një projekt që synon transportimin e gazit natyror nga Rusia në Gjermani.
Ajo e quajti marrëveshjen njoftuar të mërkurën “të mirë për Kievin”, edhe pse projekti “Nord Stream 2”, prej 11 miliardë dollarësh, 98 për qind e të cilit është përfunduar, do të anashkalojë si Ukrainën ashtu edhe Poloninë. Por Berlini dhe Uashingtoni thanë se janë të përkushtuar për të bllokuar çdo përpjekje të Moskës për ta përdorur gazsjellësin si një armë politike me synimin për të kontrolluar furnizimin me energji të Evropës.
Gjermania dhe SHBA-ja ranë dakord të financojnë projekte alternative të energjisë dhe zhvillimit në Ukrainë dhe Poloni, megjithëse të dy vendet shprehën pakënaqësinë e tyre në marrëveshje, duke thënë se kjo nuk ishte e mjaftueshme për të zvogëluar kërcënimin rus mbi energjinë.
“Dallimet mbeten. Ne e pamë atë në reagimet e djeshme“, u tha zonja Merkel gazetarëve në Berlin, duke iu referuar kundërshtimeve rreth marrëveshjes në Kongresin amerikan.
Ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Polonisë thanë nëpërmjet një deklaratë të përbashkët se marrëveshja gjermano-amerikane krijoi një “kërcënim politik, ushtarak dhe energjetik për Ukrainën dhe Evropën Qendrore, si dhe rriti potencialin e Rusisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Evropë“.
Ligjvënësit republikanë dhe demokratë gjithashtu e kritikuan marrëveshjen. Senatori republikan John Barrasso tha gjatë një seance dëgjimore të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se “Presidenti (Biden) po i jep Rusisë një armë të re gjeopolitike”.
Edhe pse Gjermania është zotuar të shpenzojë 245 milionë dollarë për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë në Ukrainë, senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, vuri në dyshim rëndësinë e këtij plani.
Zonja Shaheen, që ka mbështetur ligjin për sanksione lidhur me projektin “Nord Stream 2”, tha se Presidenti rus Vladimir Putin “e ka bërë të qartë përmes retorikës dhe veprimeve të tij se do të anashkalojë çdo kusht të vendosur nga Perëndimi në mënyrë që të përparojë axhendën e Kremlinit“.
Por administrata e Presidentit Joe Biden, në kërkim të rregullimit të marrëdhënieve me Gjermaninë, të cilat u dobësuan gjatë administratës Trump, tha se ndërtimi i gazjellësit ka mbërritur në një pikë nga e cila është vështirë të hiqet dorë.
Zonja Merkel tha se Gjermania ka tashmë “një punë shumë të madhe” për të bërë, duke shpresuar se mund të ndërmjetësojë një zgjatje të një marrëveshjeje ekzistuese që skadon në vitin 2024, për transportin e gazit rus, përmes Ukrainës, çka do t’i siguronte Kievit miliarda dollarë në tarifa tranziti. Gjermania shpreson gjithashtu të ndërtojë një “linjë të kundërt” të transportit të gazit, nga sistemet evropiane të furnizimit, në Ukrainë.
Udhëheqësja gjermane tha se “nuk jemi plotësisht të pambrojtur” kundër Rusisë, duke mbajtur të hapur mundësinë e sanksioneve të reja nëse Moska vendos një barrë të papërshtatshme ndaj furnizimit me energji të Evropës.
Kremlini thotë se nuk ka përdorur kurrë energjinë si një armë gjeopolitike.
“Rusia ka qenë dhe mbetet gjithmonë një garantuese e përgjegjshme e energjisë në kontinentin Evropian, ose madje do të thosha në një shkallë më të gjerë, globale“, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Në të kaluarën furnizimi me gaz natyror rus përmes Ukrainës është ndërprerë nga mosmarrëveshjet mbi tarifat, të cilat zgjuan dyshime rreth qëllimeve politike pas tyre.
Zoti Peskov tha se Rusia është e përgatitur të diskutojë zgjatjen e marrëveshjes për transportin e gazit tranzit përmes Ukrainës, përtej vitit 2024./VOA
g.kosovari