Nga Mero Baze
Ka disa javë që thuajse gjithë media e opozitës, por dhe vetë PD, po investohet të krijojë idenë se Erion Veliaj po grumbullon pushtet, po influencon Qeverinë, po krijon lidhje me drejtësinë, dhe histori të tjera.
Është kaq i përqendruar ky aksion politik, sa duket se tani, jo vetëm shtypi që është afër Edi Ramës, por dhe shtypi i opozitës, biles dhe vetë politikanë të opozitës, janë duke i qarë hallin Edi Ramës për rreziqet që i kanosen nga brenda.
Natyrisht nuk përjashtohet mundësia që këto histori ushqehen dhe nga grupe brenda PS, por kjo është edhe më keq për opozitën.
Në kulmin e një vere të nxehtë dhe pa shpresa për opozitën, të krijosh idenë se shpresa e vetme tani është të futësh “përçarjen” brenda partisë në pushtet, është të dorëzosh pushtetin e opozitës, dhe aq pak sa ke, në duart e Edi Ramës.
Dhe duket që kjo prirje është instinktive, pasi opozita i bie çdo karemi të sherreve brenda PS, me shpresë se do të kapë ndonjë gjë.
Po kaq të gëzuar janë që Petro Koçi ka denoncuar Bashkinë e Fierit për lidhje mafioze. Akoma më të gëzuar që një drejtor Hipoteke në Fier i është kthyer duke e sulmuar.
Kjo është një pikë e rrezikshme për opozitën, që në fakt dëshmon dorëzimin e saj. E pashpresë për të ndryshuar dhe për të diktuar debatin politik, opozita po kthehet në spektatore dhe nxitëse e spektakleve false brenda shumicës në pushtet.
Nëse deri më sot, Basha i ka gënjyer militantët me djegie mandatesh, bojkot zgjedhjesh, pastaj me zgjedhje të parakohshme e fitore zgjedhjesh, tani po i gënjen duke u thënë “mos u mërzisni se do të zihet Erjoni me Edin, Petrua me Armandon, Taulanti me Damjanin, Elisa me Oltën, Braçja me Peleshin…dhe kështu do të vijmë në pushtet”.
Duke u kthyer në spektatorë të zhvillimeve brenda PS, shumica e të cilave janë fryt i fantazisë së tyre, opozitarët po i japin Edi Ramës jo vetëm gjithë timonin dhe tepsinë, por dhe pjatën e tyre, duke i qarë tashmë hallin se po i zihen ata nën vete dhe do t’i prishin punë.
Me thënë të drejtën kaq shumë, as socialistët nuk e duan dhe nuk kujdesen për të, sa po kujdeset PD, t’i zbulojë kë ka armik, kush ia do të mirën, kush të keqen dhe kush e do me zemër. Kjo e fundit duket sikur i shkon shumë Lulit në këtë rast.