Pavarësisht kontrolleve të shtuara të Policisë Rrugore në të gjithë akset e vendit, mesa duket drejtuesit e mjeteve nuk janë ndërgjegjësuar. Kësaj radhe, në autostradën Fier-Vlorë dy automjete luksoze u kapën nga radari duke udhëtuar me shpejtësi skëterrë.
Një makinë Lamborghini dhe BMW të dyja me targa zvicerane, u konstatuan duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.
Automjeteve u është bërë shënjë nga punonjësit e policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.
Të dy automjetet janë gjobitur së bashku me rreth 3 milionë lekë të vjetra.
Detaje:
Drejtuesi i makinës Lamborghini, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me gjobë 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me gjobë 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.