Nga Adriatik Doçi
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të procesit të Vetingut, për herë të dytë që pas nisjes së misionit në Tiranë, kanë kërkuar rikthimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Genci Qana, i cili është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përmes një vendimi të diskutueshëm. Zakonisht, ONM-ja kërkon shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kalojnë shkallën e parë, siç ka ndodhur me Xhezair Zaganjorin, Bashkim Deden, Donika Prelën, Besim Hajdarmatajn, Gentjan Medja, Gentjan Osmani, Besnik Cani, Artur Malaj, Adnand Kosova, Kastriot Selita, Artan Madani, Alkelina Gazidedja, Genti Shala, Rilinda Selimi, Lindita Ziguri, Elbana Lluri, Mrinela Osmani, Elisabeta Imetraj dhe Gerd Hoxha etj.
Por, në rastin e ish-prokurores Antoneta Sevdari dhe prokurorit Genci Qana, ONM ka kundërshtuar shkarkimin e tyre nga detyra. Në 31 mars 2021, trupa gjykuese e shkallës së parë të Vetingut, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja shkarkuan nga detyra prokurorin Genci Qana për dy arsye; Për një lapsus në mbiemrin e tij në vitet ‘96-’97, ku shkronja ‘n’ ishte bërë ‘m’ dhe për mos justifikim të pasurisë me vlerë 3.4 milionë lekë. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka depozituar një raport në Komisionin e Vetingut, duke konfirmuar pastërtinë e figurës së prokurorit Genci Qana. Sipas raportit nuk ka asnjë informacion që mund të ngrinin dyshime mbi figurën e prokurorit.
Por, Komisioni i Vetingut ka bërë një hetim më të thelluar, duke konstatuar se prokurori kishte ndryshuar mbiemrin nga Qama në Qana, duke mos e deklaruar këtë ndryshim në formularin për kontrollin e figurës. Prokurori, pas kalimit të barrës së provës për këtë gjetje, ka deklaruar se nuk e ka ndryshuar kurrë mbiemrin “Qana”. Po çfarë ka ndodhur? Në 20 maj 1996, familja e prokurorit Qana është zhvendosur me gjendje civile nga Berati në Tiranë. Gjatë hedhjes së të dhënave në momentin kur punonjësja e gjendjes civile në Tiranë ka plotësuar me shkrim dore fletën përkatëse ka shkruar gabimisht mbiemrin ‘Qama’, në vend që ta shkruante ‘Qana’. Ky gabim material i bërë prej saj, është korrigjuar në 25 shkurt 1997. Pra, mbiemri i gabuar ka ngelur i regjistruar vetëm për një periudhë prej rreth 8 muaj dhe, menjëherë, pasi është vënë re, mbiemri është korrigjuar duke shënuar mbiemrin e saktë.
Kur prokurori Genci Qana ka dorëzuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, pyetjes a keni pasur emër tjetër më parë, i i është përgjigjur me “jo”. Sipas Komisionit të Vetingut, prokurori ka qenë në dijeni të ndryshimit dhe duhet të kishte shpjeguar ndryshimin, siç ishte e vërteta. “Shpjegimi i subjektit se është njohur për herë të parë me këtë fakt pas rezultateve të hetimit në vlerësim të trupit gjykues nuk është bindës për sa korrigjimi i të dhënave të gjendjes civile bëhet me kërkesën e palës së interesuar dhe se subjekti ka pasur mundësitë reale të vënies në dijeni të këtij fakti në momentin e bërjes së korrigjimit në gjendjen civile përkatëse. Ndërkohë me nënshkrimin e deklaratës së kontrollit të figurës, subjekti ka qenë i vetëdijshëm se mosplotësimi i saktë dhe me vërtetësi i deklaratës për kontrollin e figurës mund të pasjellë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e KPK-së, për shkarkimin e prokurorit Qana.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, përfaqësuar në këtë çështje nga vëzhguesi Steven Kessler, ka hartuar një mendim paralel, kundër vendimit të KPK-së, për shkarkimin e prokurorit. Mendimi paralel i vëzhguesit ndërkombëtar përmban kritika të forta deri në zemërim. Sipas Steven Kessler është ulëritëse që të shkarkosh një prokuror për një gabim me shkrim dore të dikujt tjetër. Vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler thotë se vendime të tilla të bazuara në fakte jashtëzakonisht të parëndësishme, nuk rrisin besimin e publikut tek Vetingu.
“Kjo pjesë e gjykimit është e vështirë të pranohet sepse nuk ka asnjë pretendim se subjekti i vlerësimit ose anëtarët e familjes së tij të kenë përdorur ndonjëherë mbiemrin ‘Qama’ për ndonjë avantazh të padrejtë, e lëre më për ndonjë qëllim tjetër. Për më tepër, ne e dimë se familja përdori gjithmonë emrin “Qana” dhe se korrigjimi i bë brenda disa muajsh. Kjo sekuencë mbështet fuqimisht përfundimin se ishte thjesht një gabim i vogël, duke ngatërruar një “n” me një “m”. Askush, jo një prokurori me përvojë, por le të themi as një vajzë që punon në një furrë buke – nuk duhet të shkarkohet nga detyra bazuar në fakte të tilla jashtëzakonisht të parëndësishme. T’i veshësh këto fakte me lugë këpucësh në nenin 61 (3) dhe t’i kategorizosh si deklarim i pamjaftueshëm, është korruptim qoftë i kuptimit, qoftë i qëllimit legjitim të kërkesës për deklarim të plotë. Ekzistojnë të gjitha arsyet për të konkluduar se subjekt i vlerësimit nuk kishte asnjë motiv për të mashtruar Komisionin për një gabim të vogël të një nëpunësi, bërë vite më parë. Të përdorësh këtë si bazë për pushimin nga puna është plotësisht e paarsyeshme. Shkarkimi i Qanës në këto rrethana nuk do të promovojë as besimin e publikut shqiptar në procesin e Vetingut dhe as integritetin e sistemit të drejtësisë”, ka arsyetuar Steven Kessler.
Vëzhguesi ndërkombëtar ka hedhur poshtë edhe pretendimet e Komisionit të Vetingut se prokurori Genci Qana nuk ka mungesë burimesh financiare me vlerë 3.4 milionë lekë. Steven Kessler tha se prokurori Qana, ndryshe nga gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, solli dokumente që provonin punësimin dhe pagën e bashkëshortes së tij dy organizata dhe në një strehë për gratë e dhunuara në vitet 1998-2001. Sipas vëzhguesit, prokurori ka paraqitur kopje të kontratës së punës, dëshmi të pagesës së kontributeve shoqërore nga kompania dhe një vërtetim të kompanisë se ka paguar taksat. Steven Kessler konkludon se nuk ka asnjë arsyer për të shkarkuar nga detyra prokurorin Genci Qana. Prokurori aktualisht është i pezulluar. Vendimi përfundimtar do të merret nga Kolegji i Apelimit, gjithnjë nëse Qana do ta ankimojë, në të kundërt shkarkimi merr formë të prerë./shqiptarja.com
/m.j