Afro 550 familje të fshatit Kasallë, në Njësinë Administrative Zall-Herr tashmë do të kenë rrjetin e ri të ujësjellësit.
Teksa inspektoi punimet në fazën e parë të cilat pritet të përfundojnë brenda Verës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se tashmë po punohet me të njëjtin standard si në përiferi edhe në qendër.
“Kasalla ndodhet 10 kilometër në vijë ajrore nga Tirana, por është pjesë e Tiranës së madhe. Kjo do të thotë se ka ardhur koha të punohet me të njëjtën cilësi për rrjetin e ujit, siç po punohet kudo tjetër në Tiranën urbane. Sot po shtrojmë një rrjet rreth 30 km, i cili shpëton familjet nga uji i pusit. Uji i pusit të vazhdojë të përdoret për të vaditur tokat, por jo për përdorim të brendshëm”.
Veliaj tha se në çdo kantier të hapur do të vijojë puna edhe pse jemi në sezon veror.
“E di që është verë, por është shumë e rëndësishme që teksa njerëzit shkojnë me pushime, të vazhdojmë punën, në mënyrë që fazën e parë, 16 kilometra, t’a përfundojmë deri në fund të Verës. Ndërkohë, pjesën tjetër ta mbyllim në dy fazat e tjera, në mënyrë që viti i ri këtë komunitet ta gjejë me ujë të pijshëm. U kujtoj të gjithë atyre që e kishin në dorë këtë punë dhe sot kanë në dorë vetëm portalet, se nuk ua jep njeri votën, e kishin në dorë si Zall-Herrin, edhe Tiranën urbane, që atëherë ishte sipërfaqja 1/25 e kësaj që kemi sot, vetëm 42 kilometër katrorë, dhe furnizimi me ujë ishte skandal, 4-5 orë në ditë”.
Banorët e fshatit Kasallë prej afro 30 vitesh kanë përdorur ujin e pusit.
/b.h