Deputeti i zgjedhur Tomor Alizoti, tha gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar se PD-ja ka një mision dhe duhet të jetë e vërtetë në rrugëtimin e saj.
Ai tha se Shqipëria ndodhet në udhëkryq pasi janë bashkuar tre elementë si mafia, shteti e oligarkia. Sipas Alizotit, manipulimi i zgjedhjeve tashmë është kthyer në industri ku ndërthuren tre elementët në fjalë.
“Fjalimet e gjata janë tipar i Partisë së Punës, fatkeqësia më e madhe që la komunizmi në Shqipëri ishte se la një botë irreale.
Nëse njerëzit po ngordhnin për bukë, ata thoni se fshati po lulëzon. Ne duhet të jemi realë, politika është emocion, jo vetëm statistikë. Situata në Shqipëri është shumë e trishtë, sepse janë bashkuar tre elementë. Është bashkuar krimi i organizuar kombëtar e ndërkombëtar.
Në Shqipëri ka mafie dhe kjo është bashkuar me shtetin. Është edhe oligarkia. Bashkimi i këtyre tre elementëve ka sjellë një situatë të tmerrshme në Shqipëri, është krijuar makineria e manipulimit të zgjedhjeve.
Zgjedhjet nuk kanë edhe më parë krejt demokratike por sot manipulimi është profesional dhe për kjo është ajo që duhet të diskutojmë. Është sfidë shqiptare, kombëtare, s’është vetëm partiake.” – tha Alizoti.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, shtoi më tej se tema kryesore që duhet diskutuar në vend dhe duhet të marrë zgjidhje është manipulimi si industri.
Ai theksoi se PD-ja duhet t’u ofrojë mbrojtje e mbështetje njerëzve që kanë humbur vendi e punës e që kërcënohen nga pushteti. Alizoti nënvizoi se nuk më kohë për të luajtur pasi njerëzit janë të mërzitur jo vetëm nga politika po edhe nga PD.
“Jemi një shoqëri që ka shitur shpirtin e saj. Gjatë drejtimit të qarkut të Breatit kam parë narkotrafikantë që ishin të rreshtuar në krah të kundërshtarit. Institucionet e shtetit ishin në krah të atyre që u kapën duke shkelur ligjin. Tema kryesore në Shqipëri është manipulimi që është kthyer në industri.
Kushdo që do vijë në këtëë parti duhet të ketë parasysh se do përballet me shtetin, mafian, oligarkinë. Nuk mund të ecim para me recitime. Politika është diçka reale.
Kjo parti e ka detyrë t’u ofrojë mbrojtje njerëzve që dhunohen. Kjo parti e ka energjinë po s’duhet të luajë me kohën e saj. Njerëzit janë të mërzitur nga politike po edhe nga PD-ja. Tani është momenti.” – shtoi ai.
Në fund deputeti i zgjedhur bëri thirrje për bashkim të të gjithë elementëve në PD, pasi vetëm kështu mund të shkohet drejt fitores.
Alizoti shtoi se PD-ja duhet të jetë e vërtetë, konkrete dhe e qartë në aksionin e saj politik dhe misionin e saj për të shpëtuar shqiptarët e Shqipërinë.
“Kjo parti ka përfaqësuar shtresën më dinjitoze të shqiptarëve dhe është themeluar përpara vitit 1991. Kjo ka qenë partia e atyre që shkatërruan jetën në burgjet e komunizmit e kampet e internimit, për pak burrni, për pak zotnillik. Po e humbi këtë vlerë, kjo parti nuk fiton kurrë.
Përballë ka partinë e punës, që ka lindur nga terrori, që gjithë historinë e saj e ka dhunë, banalitet sepose kështu ka qenë stalinizmi. Fatmirësisht, fatkeqësisht ne kemi një sfidë. Por jo me retorika boshe e fjalime si në kohën e Partisë së Punës. Me gjëra konkrete, njerëz seriozë e dinjitozë.
Thelbi i PD-së është të shpëtojë njerëzit, Shqipërinë që është në pikë të hallit. 700 mijë votat tregojnë se ka ende njerëz që besojnë shumë por ata nuk janë të gatshëm të besojnë të na ndjekin më, ne duhet të jemi të vërtetë.
Jam i bindur se po të bashkohemi të gjithë bashkë, edhe ata që mendojnë ndryshe nga ne. Kemi një kundërshtar të përbashkët, Ramën me gjithë industrinë e frikshme, jo vetëm shqiptare por edhe europiane e botërore. Na lejoni të bashkohemi e të shkojmë drejt fitores.” – mbylli fjalën e tij Alizoti.