Deputeti i zgjedhur i PD-së, njëherësh dhe drejtues politik për qarkun e Lezhës, Mark Marku deklaroi se demokratët i humbën zgjedhjet e 25 prillit.
Ai deklaroi për ‘Kjo javë” në ‘News24’ se humbja shihet nga fakti që nuk janë në pushtet, ndërsa shtoi se fakti që nuk fituan nuk e justifikon blerja e votave.
Ju folët qartë se; ‘nëse u vodhën dy herë, duhet të ndihemi përgjegjës’. Ju pranoni humbjen në zgjedhjet e 25 prillit?
Marku: Patjetër që i kemi humbur, nuk jemi në pushtet. Nëse të vjedh dikush, ke humbur diçka. Ka pasur vjedhje masive, por ne e dinim. Unë e dija që në Lezhë qeveria kishte dhënë para pa fund, apo administrata po blinte vota, apo grupet kriminale ishin të interesuara që PS të mbante pushtetin. S’shkova unë se në popullin e Lezhës situata ishte rozë. Por kur merr përsipër të drejtosh një aksion politik të një force politike, siç e mori dhe zoti Basha, ti duhet të marrësh parasysh faktin se ke përgjegjësi, pavarësisht se çfarë bënë kundërshtari. Duhet të ketë strategji të qarta, bindjen, taktikat. Unë isha i bindur. Aty më thonin; kanë hedhur para për tërmetin. Unë i thoja; po i kanë hedhur, por njerëzit përveç këtyre shtëpive që duan të riparojnë, kanë dhe interesa të tjera dhe fshatra jonë do të përqendrohet në mënyrë të segmentizuar për probleme që ata kanë. Duke iu ofruar dhe një miniprogram dhe duke komunikuar me ta. Duke krijuar besueshmëri. E njëjta situatë ka qenë kudo. Në Lezhë janë blerë vota. Situatë e tillë ka qenë kudo, por morëm përsipër se pavarësisht kësaj, duke ditur se kush ishte Rama dhe se si do funksiononte qeveria, morëm përgjegjësin të bënim një fushatë për të bërë ndryshimin. Ky është fakt që ka pasur blerje masive të votave, por kjo nuk është arsye se pse nuk fituam.