Debate për huanë e re për financimin e bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës kanë përplasur mazhorancën dhe opozitën në parlament. Ministri Cani dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku kanë debatuar në lidhje me marëveshjen e parë të kredisë, së marrë në kohën kur Lulzim Basha drejtonte bashkinë.
Ministri Cani tha se Basha kishte marrë një kredi pa ditur se ku do t’i financonte paratë, e në reagim të kësaj, ish nënkryetarja e bashkisë Tabaku tha se me marëveshjen e re të bashkisë këto dy projekte po dëmtohen.
“U gjet një kredi që nuk ekzistonte, për një projekt që nuk ekzistonte as në ëndrrat e ktij kryreministri. U hartua dhe projekti teknik, i njëjti projekt që po përdorin këta sot. Po gjëja më e rëndësishme që tha ministri ishte nëse projekti i mëparshëm kishte 4 module, sot ka 2 element me të njëjtën shumë parash”, tha znj. Tabaku.
Ministri Cani replikoi duke u shprehur se ndryshimi është bërë nga një ekspert i administratës së mëparshme të bashkisë.
“Minisitri i Financave tha se ky ndryshim është bërë nga ju, nga një ekspert ndërkombëtar i thirrur nga ju, dhe jo nga ne. Është eksperti ndërkombëtar i juaj që ndryshoi destinacionin e fondeve që ju nuk dinit ku t’i çonit”, u përgjigj ministri Cani.
Marëveshja në fjalë ka të bëjë me 55 milionë euro nga Fondi për Zhvillim i Abu Dabit që do të shkojnë për projektin e Bulevardit të Ri dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës. Vendimi u miratua në komisionin e ekonomisë, i cili vendosi për një ndryshim në marrëveshjen e huasë që parashikon financimin e 2 komponentëve në masën 100 %. Faza e parë është ndërtimi i bulevardit me gjatësi 1600 m, nga ish-stacioni i trenit në drejtim të lumit të Tiranës ndërsa faza e dytë rehabilitimi i këtij të fundit.