Gjykata Speciale ka filluar me lejimin e vizitave për familjarët e ish-krerëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë ende në ambientet e paraburgimit. I pari që ka takuar familjen e tij ishte Jakup Krasniqi.
Gresa Krasniqi, e bija e Jakup Krasniqit, përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ka shkruar rreth takimit që ka pasur pas tetë muajsh me babain e saj. Ajo ka ndarë momente nga takimi duke e cilësuar të atin si një hero, ndërsa të gjitha emocionet i ka ndarë me ndjekësit në rrjete sociale.
“Për 8 muaj e 12 ditë ëndërruam përqafimin tënd e ledhatimet e tua. Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti babi. Harruam gjithçka. Harruam dhimbjen, pritjet, vuajtjet. Jeta është e padrejtë me njerëzit e mirë. Sa i mirë je ti babi, sa shumë padrejtësi durove. E kisha ëndrru këtë moment herë në gjumë e herë me sy qel. Para pasqyrës, çdo mëngjes i përsërisja fjalët që do t’i thoja, para teje u bëra e heshtur. Sa na kishe munguar! Sa e rënd ishte të shoh aty, por të pash më të fort se herëve tjera, megjithëse përballeshe me të tjera padrejtësi të pash më të buzëqeshur se herëve tjera, mjekra e bardhë që ti numëron vitet plot vuajtje të ka bërë edhe më të pashëm. Ti nuk kthehesh babi, kisha lexuar shumë shkrime nga ish të burgosur, që tregonin historitë e tua sikur të një superheroi. U binda babi, ti nuk thehesh. Ti bëhesh më i fort, e kjo më gëzoi. Sa na kishe munguar. E di, ti edhe njëherë i duhesh Kosovës dhe UÇK-së. Por, na duhesh edhe neve. Padrejtësia babi, vret më shumë se plumbi. U ç’mallem thua, po ky mall vështirë se kalon. Të duam,”- ka shkruar ajo në Instagram.
Aktualisht si të akuzuar në Hagë gjenden, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nesim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Të gjithë zyrtarët më të lartë të Kosovës, akuzohen për arrestim të paligjshëm, vrasje dhe torturë, të cilat konsiderohen si krime lufte. Në aktakuzën e publikuar shkruhet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të një viti më vonë, në Kukës dhe Cahan janë kryer krime ndaj qindra civilëve që nuk ishin pjesë e luftës së UÇK-së.
g.kosovari
Liria ka emer, edhe tradhetia gjithashtu!