Organizimet e Bashkisë së Gjirokastrës, në kuadër të 16-vjetorit të përfshirjes së qytetit të gurtë në UNESCO, kulmuan mbrëmjen e djeshme, me një aktivitet të zhvilluar në kalanë e Argjiros.
Të pranishëm kanë qenë Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik të disa vendeve të BE-së, drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, etj.
Përgjatë këtij aktiviteti Kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi i dorëzoi “Çelësin e qytetit”, ambasadorit të BE-së Soreca. “Qyteti i Gjirokastrës përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore botërore, ndërsa Shqipëria në tërësi spikat për monumentet e kulturës.
Së shpejti do të nisim një projekt për ndërhyrjet restauruese në vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qyteti i parë në të cilin do të prezantohet është Gjirokastra”, u shpreh Soreca. Përgjatë këtij aktiviteti iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” edhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli për punën dhe kontributin e dhënë për rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të Gjirokastrës.