Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli, i ftuar në A2 CNN, paraqet një optimizëm të bazuar për misionin shqiptar në Lojërat Olimpike të Tokyos.
“Jemi ekip modest, por mendojmë për herë të pare që do të paraqitemi me dinjitet. Janë të gjithë të veshur mirë, të trajnuar mirë, si të gjithë ekipet e tjera. Kjo falë mbështetjes dhe fondit të dhënë nga ministrja Kushi por edhe nga bashkia e Tiranës. Por ky është minimumi që mund të bëjmë për ta”, thotë Ylli.
Po si është gjendja e atletëve shqiptar dhe çfarë rezultate mund të presim. “Për herë të parë ne pretendojmë realisht për medalje. I pari është Briken Calja, rezultatet e tij thonë se ai pretendon për medalje. Gjithashtu kemi gjimnastin Matvei Petrov, që ka marrë medalje të artë në kupën e botës në kalin me doreza”, thotë ai.
Ylli i cilëson veten si “president vullnetar, pa rrogë, por jam full time, gjithë kohës në zyrë, që mos të jenë federatat të shqetësohen për biletat, pagesat, pajisjet etj. Komiteti Olimpik më parë rrinte te 21 dhjetori në kat të katërt, të vinte zor të ftoje një personalitet në ato zyra.
Problemet nuk mungojnë teksa ai thotë se “jemi vendi më i varfër në botë për terrenet sportive” dhe se “nuk kemi pistë tartani, nuk kemi pishinë olimpike sepse Federata e Futbollit i ka vënë një bllokim aty. Ne të gjithë e duam futbollin, jemi tifozë sepse është sporti më i njohur në botë, por nuk duhet t’i braktisim të tjerat”.
Sipas tij Ligji për sportin do të ndryshojë vetë statusin e atletit elitar. “Ligji për sportin është bashkëkohor, atletet elitare që do shkojnë në Olimpiadë do kenë mundësi të shkojnë në shkollë pa konkurs, punën e kanë të sigurt. Ata e dinë që po dolën kampion Bote, Europe, Ballkani, ato quhen atletë elitarë dhe i kanë të siguruara këto. Ne duam që atletët tanë të garojnë me dinjitet, dhe pas karrierës të shihen si modelet më të mira për gjeneratat e reja”.